TIRANE- Sot, më 7 Mars, ditë e shpallur me një vendim të qeverisë shqiptare si, “Dita Kombëtare e Mësuesve”,  mbushen 129 vjet, që nga krijimi i Mësonjëtores së parë Shqipe në qytetin e Korçës, një qytet me tradita patriotike dhe mësimdashëse në juglindje të Shqipërisë.

Mësonjëtorja e parë u çel në 7 mars në 1887, në kushtet e pushtimit otoman dhe ajo u krijua nga një grup rilindësish, ndërsa ishte e para shkollë fillore me një fizionomi të theksuar kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Sipas dokumenteve të kohës, veprimtaria e kësaj shkolle përshkohej nga idetë patriotike, edukata e punës dhe dashuria për dije.

Mësonjëtorja e parë shqipe u përkrah gjerësisht nga masat patriotike  korçare dhe ato të mërgimit. Në këtë shkollë jepeshin lëndët, shkrim, këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, histori e Shqipërisë, gjeografi, aritmetikë.

Drejtuesit e parë të shkollës qenë patriotët e Rilindjes sonë Kombëtare, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj, ndërsa drejtor i parë i saj u zgjodh Petro Nini Luarasi, një nga figurat kryesore të kohës, veprimtar i Rilindjes Kombëtare shqiptare, publicist dhe pedagog. Ai nisi mësimin e gjuhës shqipe në fshatra të ndryshme të Shqipërisë, hapi shkollën e parë shqipe në Ersekë dhe shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës. Një nga nismëtaret e krijimit të shkollës shqipe ishte edhe Parashqevi Qiriazi, atdhetare dhe veprimtare e shquar, e cila punoi për arsimimin e gruas shqiptare. Me botimin e librit të saj “Abetare për shkollat e para”, ajo zuri vend në historinë e shkollës shqiptare, si e para grua autore e teksteve shkollore.

Mësonjëtorja e parë shqipe pati një jetë 15-vjeçare, ku përballoi pengesat dhe vështirësitë e nxjerra nga  pushtuesit otomanë dhe sidomos kleri, që kërkonte ndalimin e përhapjes dhe mësimit të gjuhës shqipe. Rëndësia e krijimit të kësaj shkolle qëndron në faktin se ajo institucionalizoi mësimin e gjuhës shqipe në Shqipëri dhe krijoi një plejadë njerëzish, të cilët u bënë më vonë veprimtarë të lëvizjes për çlirim kombëtar dhe shoqëror të vendit.

Në përkujtim të krijimit të Mësonjëtores së parë shqipe me vendim të Qeverisë  Shqiptare, në vitin 1960 u vendos që 7 Marsi të njihet si “Dita Kombëtare e Mësuesve”.

Që nga kjo ditë, “Mësonjëtorja e parë” hyri në histori si pionierja e arsimit kombëtar dhe dita e çeljes së shkollës si festë. 7 Marsi kremtohet nga të gjithë shqiptarët, nxënësit  në shenjë vlerësimi të traditave më të mira të shkollës kombëtare shqipe, të figurës së nderuar të mësuesit .

Gjatë ditës së sotme pritet të zhvillohet aktivitete të shumta ku mësuesit do të jenë në qendër të vëmendjes për dhurata apo urime të përzemërta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: