TIRANE- Në ceremonitë përkujtimore për 70-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, nuk munguan edhe shfaqjet e portretit të Enver Hoxhës, shkruan Gazeta ‘Panorama’. Gjatë kremtimeve që u zhvilluan këtë të shtunë më 29 nëntor në “Varrezat e Dëshmorëve” në Tiranë, ku morën pjesë krerët e shtetit si Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta etj. policia nuk lejoi që veteranë të Luftës apo simpatizantë të Hoxhës, të mbanin portretin e diktatorit në duar, duke i bllokuar ata që në hyrjen të rrugës që të çonte tek ceremonia përkujtimore.

Ndërkaq, e kundërta ndodhi në qytetin e Vlorës. Gjatë ceremonisë përkujtimore të zhvilluar në Varrezat e Dëshmorëve në Vlorë në nder të të rënëve në Luftë, ku merrnin pjesë kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, prefektja e Qarkut Etjona Hoxha, si dhe familjarë të dëshmorëve, nuk munguan edhe portretet e Enver Hoxhës në duart e disa qytetarëve.

Lidhur me shfaqjen e fotove të Hoxhës në ceremonitë përkujtimore për 70-vjetorin e Çlirimit, përfaqësues të lartë të shtetit, por edhe nga opozita, kanë dënuar shfaqjen e tyre në publik, duke kërkuar që LANÇ të mos identifikohet me sistemin komunist në Shqipëri.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb