Deputetja e PD, Jorida Tabaku vlerëson se paraqitja e kryebashkiakut Erion Veliaj në SPAK është një moment i mirë.

Sipas saj, ky moment i mirë është fakti se drejtësia po prek nivelet e larta dhe po shkakton te zyrtarët frikën e ndëshkimit nga ligji.

Në studion e News24 me moderatoren Ola Bruko, Tabaku tha se tashmë është momenti që të krijohet një sistem i cili parandalon fenomenin e korrupsionit.

“SPAK-u është duke treguar disa rezultate dhe për mua momenti kur kryetari i bashkisë hyri në SPAK është një moment i mirë. Lajm i mirë është që prek drejtësia edhe kur je në pushtet, shpresoj të shoh si do të evoluojmë kjo çështje. Nëse ne kemi masën tashmë të dënimit dhe shohim që administrata ka frikë të firmosë, ka frikë ka ligji, ne duhet të merremi me pjesën e parandalimit. Një strukturë, një administratë që e parandalon korrupsionin. Rastet që kemi parë kompani me kapital zero, me asete zero, me të ardhura zero, marrin tendera, ua japin familjarëve të tyre, rasti i bashkisë së Tiranës, rasti i inceneratorëve, janë tregues se nuk funksionon ligji i prokurorimeve, as ligji i koncesioneve. Kjo strukturë duhet të ndryshojë, ngritja e një sistemi që e parandalon korrupsionin”, u shpreh Tabaku.

Ndryshe nga një pjesë e opozitës, sikurse është grupimi i Rithemelimit të cilët e quajnë SPAK-un të kontrolluar nga qeveria dhe “çetë partiake”, Tabaku thotë se ajo e vlerëson punën e Prokurorisë së Posaçme, por pret që drejtësia të ecë më shpejt.

“Punën e SPAK e kam përshëndetur. S’kam thënë ndonjëherë që s’kam besim te SPAK. Kam shprehur mbështetjen për SPAK që të vazhdojë përpara dhe t’i hetojë këto afera. A dua që të ecet më shpejt? Po, patjetër që dua të ecë më shpejt. këto shembujt e ndëshkimit të korrupsionit bëhen shembuj edhe për nivelet më poshtë, kështu kultura fillon dhe instalohet edhe frika ndaj ligjit. Rastet që kemi parë, nuk kanë nevojë për shpjegim dhe për shumë hetim, të ndëshkohen nga drejtësia sepse kështu besoj do të japim shembullin se çfarëdo që ndodh në të ardhmen do të ndëshkohet”, tha më tej ajo.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb