Për më shumë se 8 orë, 40 studentë shqiptarë nga Tirana që udhëtonin për t’iu bashkuar protestës për gjuhën shqipe në Shkup, thonë se u përballën me presion, kontrolle të vazhdueshme dhe trajtim të papranueshëm nga autoritetet maqedonase.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe Gazment Bardhi. Në një reagim në facebook, Bardhi ka dënuar trajtimin çnjerëzor të të rinjve.

“Është skandaloze që studentë shqiptarë, shumica 18-20 vjeç dhe shumë prej tyre vajza, të trajtohen si kriminelë vetëm sepse po udhëtonin për të mbështetur protestat në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ata të rinj meritojnë vetëm respekt dhe mirënjohje për guximin dhe sakrificën.”, shprehet ai.

Gjithashtu ai nënvizon se heshtja e e Tiranës zyrtare është skandaloze.

REAGIMI;

Dënoj me forcë ndalimin arbitrar dhe trajtimin çnjerëzor që policia e Maqedonisë së Veriut u bëri rreth 40 të rinjve shqiptarë, të cilët për afro 9 orë u mbajtën praktikisht peng në pikat kufitare, pa asnjë akuzë, pa asnjë shpjegim dhe pa asnjë të drejtë minimale njerëzore.

Është skandaloze që studentë shqiptarë, shumica 18-20 vjeç dhe shumë prej tyre vajza, të trajtohen si kriminelë vetëm sepse po udhëtonin për të mbështetur protestat në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ata të rinjë meritojnë vetëm respekt dhe mirënjohje për guximin dhe sakrificën.

Por po aq skandaloze është heshtja e e Tiranës zyrtare. Asnjë reagim nga Qeveria Shqiptare. Asnjë reagim nga Ministria e Jashtme. Asnjë mbrojtje për qytetarët shqiptarë të poshtëruar dhe të keqtrajtuar në kufi. Asnjë reagim edhe pse, shteti shqiptar u vu në dijeni se policia e Maqedonisë së Veriut i ka lëvizur 40 të rinjtë shqiptarë nga kufiri me Shqipërinë, në Kumanovë, deri pranë kufirit me Serbinë, pa asnjë shpjegim dhe pa asnjë procedurë normale.

Ky nuk është kontroll kufitar. Kjo është pengmarrje shtetërore.

Kur bëhet fjalë për propagandë boshe mbi “stabilitetin rajonal”, për rolin e “liderit global” që Edi Rama ka aq qejf t’ia përsërisin autokratët e Ballkanit apo për foto e samite para kamerave, Tirana zyrtare nuk lë vend pa u mburrur. Por kur policia e Maqedonisë së Veriut merr praktikisht peng të rinjtë shqiptarë, i ndalon për orë të tëra pa asnjë akuzë, i trajton si kriminelë vetëm pse mbështesin protestat për gjuhën shqipe dhe identitetin kombëtar, Edi Rama dhe qeveria e tij zhduken.

Asnjë reagim. Asnjë dënim. Asnjë mbrojtje për qytetarët shqiptarë.

Kjo nuk është diplomaci. Është kapitullim dhe braktisje e turpshme e qytetarëve shqiptarë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb