Nga: ENIDA HIMA*

TIRANE- I është rikthyer muzikës këtë herë më e nxehtë se kurrë më parë. Zajmina ka habitur fansat me “Black Out”. Në këtë intervistë për “Bluetooth”, këngëtarja rrëfen se pasi ka mbyllur me sukses shkollën, i ka servirur publikut hitin më të fundit. Shumë e diskutuar ka qenë që pas daljes së klipit edhe fakti nëse seks-simboli ka veshur apo jo të brendshme në klip. Vetë Zai i ka kundërshtuar këto thashetheme, duke treguar se ka pasur të brendshme. Gjithçka po ecën më së miri për të edhe në jetën private, ku po jeton e lumtur historinë e gjatë të dashurisë. Mbetet stoike në vendimin për të mos e rrëfyer identitetin e partnerit, një vendim ky i të dyve. E në fund na paralajmëron për një tjetër hit, ndoshta edhe më të nxehtë se “Black Out”.

Rikthehet Zajmina, si erdhi “Black Out”?
U shkëputa për ca kohë nga muzika për shkak të ngarkesës së madhe që kisha në shkollë. Tani që atë e mbylla me sukses, vendosa t’i rikthehem pasionit tim. “Black Out” erdhi i menduar mirë, mori një kohë relativisht të gjatë, por puna dhe lodhja mendoj se dhanë rezultat.
I keni ndjekur komentet e fansave për këngën, çfarë të kanë thënë?
Jam shumë e lumtur, pasi kënga u prit shumë mirë. Sigurisht që, një fans vetëm fjalë të mira do të thotë! Komentet janë pa fund, si për këngën, edhe për klipin.
Përse zgjodhët një bashkëpunim me Elgitin; ju ftoi ai të ishit pjesë e këngës apo ju atë?
Unë doja të rikthehesha me një bashkëpunim dhe këtë dëshirë ia propozova Elgitit, i cili nuk ma refuzoi. Ne jemi shumë miq me njëri-tjetrin dhe kjo është një arsye më shumë pse zgjodha atë.
A kishit për qëllim një “Black Out” për publikun, a ia dolët?
Qëllimi ishte një rikthim i mirë, besoj se i tillë rezultoi.
Vini fatale në klipin e fundit; kush u kujdes për ju?
Në këtë projekt është kujdesur një stiliste e re në tregun e modës, Suela quhet. Të gjitha veshjet janë tendencat e kësaj vere. Për “look”-un tim si gjithmonë kujdeset Elona Balaj.
A njihni këngëtare që ju kanë kopjuar në stil këto vitet e fundit?
Jo, secila ka stilin e vet. Tendencat e modës janë të tilla që ndonjëherë mund të duket sikur kopjojmë njëra-tjetrën.
A jeni ndjerë ndonjëherë e “kërcënuar” nga rivalet?
Jo, nuk shikoj rivale, unë kënaqem edhe me punën e këngëtareve të tjera, mikesha apo jo. Secila nga ne ka publikun e saj, s’ka pse të ketë rivalitet.
Këto ditë ka qarkulluar lajmi se ishit pa të brendshme gjatë klipit; a është e vërtetë?
Jo, nuk është e vërtetë. Në kohët e sotme, edhe për ato modele fustanesh ku ekspozimi i kofshës të bën të mendosh se të brendshmet mungojnë, ekzistojnë modele të brendshmesh të cilat janë për këto raste.
Sa ka kushtuar klipi, ka një tendencë të artistëve që të sjellin klipe të kushtueshme kohët e fundit?
Nuk kam dëshirë të flas me shifra, por ky është klipi më i kushtueshëm i imi deri tani. Është normale, nëse i ke mundësitë, të bësh diçka cilësore. Pse të mos e bësh?! Ne jemi shumë me fat që kemi një produksion videosh me cilësi super të lartë dhe nuk kemi pse u drejtohemi vendeve fqinje ose diku më larg për të realizuar një videoklip të mirë.
A është ndjerë i provokuar apo i “përkëdhelur” Elgiti përgjatë xhirimeve?
Ne kemi një miqësi shumë të mirë, jemi shumë shokë. I provokuar jo, i përkëdhelur po.
Përgjatë gjithë verës, jeni shfaqur shumë në formë; kush është sekreti për formën tuaj perfekte?
Jam shumë me fat që nuk më duhen shumë përpjekje për të mbajtur trupin në formë. Nuk i njoh dietat dhe kam fatin të shijoj çdo lloj ushqimi. Sigurisht që ushtroj dhe palestër për të tonifikuar trupin.
Duket se para klipit keni shijuar pushimet; ku ka pushuar Zai këtë verë?
Këtë verë kam shëtitur disa vende, në fakt. Shumë ishuj të Greqisë, në Malin e Zi. Pushimet do të vijojnë edhe në shtator, pasi të kem mbyllur dhe sezonin.
Bujare sa i përket “look”-ut, por hermetike për jetën private; përse kjo zgjedhje?
Kam dashur gjithmonë që jeta private të mbetet private. Nuk kam natyrë që t’i ndaj gjërat e mia me njerëzit, ndaj këtë zgjedhje kam bërë edhe te jeta private.
Është zgjedhja juaj apo e partnerit tuaj që tw mos e konsumoni lidhjen në publik?
Është një zgjedhje e të dyve. Te kjo pjesë të dy kemi pasur të njëjtin mendim.
Keni një lidhje të gjatë dhe të konsoliduar; a ka ardhur momenti për të hedhur një hap tjetër tashmë, martesën për shembull?
Ligji kryesor në një marrëdhënie është lumturia, ne jemi shumë të lumtur dhe kjo është e rëndësishme. Një firmë në bashki nuk do të thotë asgjë, megjithatë në planet tona është edhe martesa.
Keni treguar se guxoni në performancat tuaja; çfarë do të shikojmë tjetër nga Zajmina?
Projekte kam disa, por më mirë t’i lë surprizë për një moment të dytë. Besoj se do jenë gjëra të bukura.
Mendoni se dita kur Zajmina do të heqë dorë nga muzika për t’iu përkushtuar arkitekturës nuk është dhe aq e largët?
Muzika është pasioni im, ndërsa arkitektura profesioni im. Nuk di të them se sa larg do të jetë dita kur unë do t’i përkushtohem profesionit tim. Gjithsesi, qëllimi im kryesor, e ardhmja ime është arkitektura.
Si do t’ju gjejë shtatori, a kemi ndonjë surprizë nga ju?
Në shtator kam një projekt të ri. Këtë herë do të vij me një këngë vetëm, dhe besoj se shtatori do të jetë edhe muaji kur do të dalë në treg kënga.

(ma.ar/Bluetooth/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: