NGA VALENTINA MADANI*
TIRANË- Gjergji Papa, deputeti demokrat i qarkut të Korçës, denoncon qeverisjen e vendit, sipas tij nga një klan politiko-oligarkik, i lidhur ngushtë me interesa korruptive dhe kriminale. Sa i përket PD-së, ai thotë për “GSH” se partia më shumë se kurrë ka nevojë për kontributin e të gjithë brezave, që nga themeluesit e saj e deri te të rinjtë e shkolluar.
Z.Papa, si po qeveris e majta në pushtet?
“Një fshat që duket, nuk do kallauz”, thotë populli. Tashmë, pas dy vjetësh qeverisje, të gjithë shqiptarët e dinë se qeveria është shkëputur nga hallet e qytetarëve dhe zgjidhja e tyre. Vendi qeveriset nga një klan politiko-oligarkik, i lidhur ngushtë me interesa korruptive dhe kriminale. Qeveria ka dështuar në rrafshin ekonomik. Ekonomia shqiptare po shkon drejt greminës. Është një ekonomi e zënë për fyti nga monopolet, kontrabanda, evazioni dhe klientela. Biznesi i vogël po falimenton masivisht. Biznesi i mesëm dhe i madh po tkurren. Investimet e huaja, afër zeros. Kredia për investime të brendshme, në rënie të plotë. Nuk ka rritje rrogash e pensionesh. Nuk ka investime në arsim, shëndetësi, në rrugë, në ujësjellës e kanalizime, në bujqësi. Politika e qeverisë për të rritur taksat dhe tarifat në kohë krize, vazhdon ta fundosë ekonominë dhe të varfërojë qytetarët. Janë rritur taksat, akcizat dhe tatimet. Nga ana tjetër, të ardhurat po bien. Vetë qeveria deklaron 160 milionë dollarë të munguara në arkën e shtetit. Arsyeja është më se e qartë: janë rritur kontrabanda, korrupsioni dhe informaliteti. Qeveria thotë se në shtator do të fillojë luftën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal. Po këto dy vjet, çfarë ka bërë qeveria? Pse e ka lejuar këtë informalitet dhe evazion fiskal? Kush ka mbajtur përgjegjësi? Askush! Rritja e taksave dhe akcizave solli rritjen e çmimeve, rënien e konsumit, rritjen e varfërisë, rritjen e mjerimit dhe papunësisë. Vendi ynë është një ndër 10 vendet me çmim më të lartë të naftës në Europë, si pasojë e taksave të qeverisë dhe abuzimeve me çmimin. Mjafton të përmend faktin që vendi fqinj, Maqedonia, e tregton naftën me 600 lekë/litër më pak se Shqipëria. Dhe shqiptarët vazhdojnë të largohen nga sytë këmbët nga vendi i tyre. Korriku shënoi rekordin e gjashtëmujorit të fundit: 7 mijë qytetarë të tjerë të larguar.
A shikoni ndonjë krisje mes PS-së dhe LSI-së, siç po flitet kohët e fundit?
Unë nuk jam pjesë as e PS-së, as e LSI-së dhe as e pazareve të tyre, prandaj nuk di detaje të kësaj krisjeje. Por jam i sigurt se po ndodh një luftë e ashpër midis tyre për të ndarë tortën e pushtetit.
Secila palë përpiqet të marrë nën kontroll ato institucione, drejtori dhe vende pune ku ka më shumë mundësi korrupsioni dhe abuzimi, për të fituar sa më shumë para, ku ka më shumë vende pune, për të futur sa më shumë militantë në punë, sepse me para dhe vende pune mund të marrësh më shumë vota dhe të fitosh zgjedhjet e ardhshme, ashtu sikundër po ndodh rëndom tashmë në zgjedhjet politike në Shqipëri. Dhe kur interesat nuk plotësohen, pa dyshim fillojnë përplasjet dhe konfliktet.
Pse humbi aq thellë opozita në zgjedhjet e fundit lokale?
Nuk jam dakord me pyetjen tuaj. Opozita nuk humbi thellë në zgjedhjet e fundit lokale. Partia Demokratike dhe opozita u rrit në këto zgjedhje. Partia Demokratike me aleatët ka hedhur një hap të madh drejt ringritjes, duke rritur mbështetjen popullore anembanë vendit, duke fituar një numër të madh bashkish, disa prej tyre për herë të parë pas njëzet vjetësh, dhe duke ngushtuar diferencën në bashkitë e tjera. Është e vërtetë që ne kemi pritur dhe dëshiruar një rezultat ndryshe, një rezultat më të mirë nga ky që morëm.
Por nuk mund të lë pa përmendur faktorët që devijuan vullnetin politik të zgjedhësve dhe, pa eliminuar këta faktorë, nuk mund të bëhet fjalë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. U përgatit një hartë territoriale e manipuluar për interesat e pushtetit të PS-LSI. Bandat kriminale, të lidhura me pushtetin, kanë kërcënuar, trembur dhe dhunuar kandidatët, aktivistët dhe zgjedhësit tanë. Institucionet shtetërore u përfshinë masivisht në fushatën elektorale. Ndaj punonjësve të administratës u ushtrua një presion i jashtëzakonshëm. Atyre iu kërkua të garantonin dhe të faktonin një
numër të caktuar votash në këmbim të vendit të punës apo u kërcënuan se do të pushoheshin nga puna, nëse merrnin pjesë në votim apo në procesin zgjedhor si vëzhgues apo komisionerë të opozitës. Mijëra zgjedhës u transferuan në mënyrë të paligjshme. U falsifikuan kartat e identitetit. Dhe, ajo që tashmë është shqetësimi më madhor, është blerja masive e votës.
Cila është përgjegjësia e drejtuesve të PD-së në rezultatin e 21 qershorit?
Të gjithë pa përjashtim, drejtuesit e Partisë Demokratike, nga baza në qendër, kemi një përgjegjësi të madhe për të analizuar rezultatin e këtyre zgjedhjeve kuti për kuti, bashki për bashki, për të njohur dhe korrigjuar defektet dhe të metat tona, që ato të mos përsëriten në zgjedhjet e ardhshme, për të siguruar fitoren.
Nga duhet të fillojë analiza e humbjes?
Nuk do të jetë analiza e humbjes, por analiza e zgjedhjeve të fundit. Do të analizojmë fitoret, për t’i pasur si shembull, do të analizojmë humbjet, për të nxjerrë mësime, që të forcohemi, të përgatitemi shumë më mirë për betejën e radhës dhe të hedhim hapin vendimtar të fitores.
Humbja e 21 qershorit nxori në pah edhe kundërshtarë të brendshëm të PD-së, madje edhe brenda Grupit Parlamentar të partisë. Si i keni lexuar këta zëra kritikë, konkretisht deklaratën e Jozefina Topallit?
Në Partinë Demokratike nuk ka kundërshtarë të brendshëm dhe aq më tepër nuk ka kundërshtarë brenda Grupit Parlamentar. Në partinë tonë respektohet liria e shprehjes së mendimit. Çdo anëtar i PD-së mund ta shprehë mendimin e tij hapur dhe kudo, si brenda forumeve të partisë, ashtu edhe në media ose në rrjetet sociale. Janë forumet e partisë që vendosin për vendimmarrjen mbi bazën e parimit të votës.
Ka të drejtë njëri prej aleatëve tuaj, Dashamir Shehi, kur thotë se jo çdo djalosh që ka marrë një diplomë dhe di të lidhë kollaren duhet të merret në PD?
Kam respekt për z. Shehi dhe për kontributin e tij politik në spektrin politik të djathtë. Nuk dua të komentoj deklaratat e tij, por dua të theksoj, se PD-ja ka nevojë sot më shumë se kurrë për kontributin dhe vlerat e të gjithë brezave, që nga themeluesit e PD-së, deri të rinjtë e shkolluar, të talentuar dhe me energjinë e moshës, me ose pa kollare.
A është i mundur një koalicion PD-PS, qoftë edhe për të larguar LSI-në?
Personalisht jam kundër çdo lloj koalicioni të PD-së si me PS-në, ashtu edhe me LSI-në. Edhe në forumet e partisë nuk është diskutuar asnjëherë një gjë e tillë. Nuk mund të bësh koalicion me ata që janë përgjegjës për situatën e rëndë të krijuar në vend. PD-ja është për një betejë frontale kundër krimit dhe korrupsionit, me çdo çmim, me çdo kosto dhe pa asnjë kompromis.
Çfarë i duhet PD-së që të vijë e sigurt në pushtet pas dy vitesh?
Një hapje shumë më e madhe dhe një bashkëpunim më i ngushtë me shoqërinë civile, me intelektualët dhe akademikët, një intensifikim shumë më i madh i komunikimit me qytetarët për të përgatitur një program konkret dhe të detajuar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Deputetët dhe drejtuesit e PD-së, që në muajin shtator, do të jenë pranë qytetarëve, qytet më qytet dhe fshat më fshat, duke komunikuar për hallet dhe problemet e tyre dhe për alternativën tonë, bashkëbisedim, dialog dhe bashkëveprim me ta, për të gjetur së bashku rrugët e zgjidhjes së problemeve.
Ku konsiston strategjia kombëtare për shpëtimin e shqiptarëve nga kriza ekonomike, të cilën e ka paralajmëruar kreu demokrat, Lulzim Basha?
Pastrim i menjëhershëm i qeverisjes nga krimi. Luftë pa kompromis kundër korrupsionit. Barazi para ligjit dhe konkurrencë të ndershme. Ekonomi transparente dhe formale. Taksa të ulëta. Vendosja e taksës së sheshtë të ulët, si një faktor shumë i rëndësishëm për rritjen e investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Ulja e çmimit të naftës, duke hequr menjëherë taksën “Rama” prej 240 lekë/litër. Ulja e çmimit të energjisë elektrike, sepse nafta dhe energjia elektrike zhvillojnë ekonominë dhe shtojnë vendet e punës.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
