Protesta qytetare ka hyrë sot në ditën e saj të nëntë, duke shënuar pjesëmarrjen më të lartë që nga nisja e saj. Mijëra qytetarë u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku bulevardi u mbush me pankarta, flamuj dhe thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi.

Atmosfera para Kryeministrisë u karakterizua nga slogane të forta si “Rama jep dorëheqjen”, “Mos u përçani! Poshtë patronazhistët”, “Rama ik”, si dhe thirrje që kërkonin largimin e elitës politike që ka dominuar jetën publike shqiptare prej dekadash.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të mazhorancës kanë vijuar të minimizojnë protestën, duke e lidhur atë me dezinformimin, interesa politike apo ndikime të jashtme. Në deklaratat e fundit, Rama ka ironizuar protestuesit dhe ka sulmuar figura publike që kanë shprehur mbështetje për revoltën qytetare.

Ajo që nisi në Zvërnec si një kundërshtim ndaj një projekti të caktuar, tashmë po merr përmasa më të gjera, duke u shndërruar në një shprehje të pakënaqësisë ndaj të gjithë klasës politike.

Këtë e dëshmojnë edhe mesazhet që dominuan tubimin para Kryeministrisë. “Rama në burg, Berisha në burg”, “Poshtë kasta politike” dhe “Mos u përçani! Poshtë patronazhistët” ishin ndër thirrjet më të dëgjuara gjatë protestës, duke reflektuar zhgënjimin e një pjese të qytetarëve jo vetëm ndaj qeverisë aktuale, por ndaj gjithë sistemit politik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb