“Ilir Meta veproi në tejkalim të Kushtetutës, kur firmosi dekretin për anulimin e 30 qershorit. Kushtetuta i jep të drejtë kreut të shtetit të caktojë datën e zgjedhjeve, por jo ta ndryshojë apo shfuqizojë atë, nëse një gjë e tillë nuk parashikohet shprehimisht në ligj. Dekreti i dytë i Metës është i pavlefshëm dhe iu mohon qytetarëve shqiptarë të drejtën për të votuar.”

Këto janë argumentet kryesorë të Kolegjit Zgjedhor, që duke rrëzuar padinë e partisë Uniteti Kombëtar për çregjistrim jo vetëm la në fuqi 30 qershorin si datë të zgjedhjeve për pushtetin vendor, por shqyrtoi në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe dekretin e presidentit Ilir Meta.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Tomor Skreli, shprehet se dekreti për shfuqizimin e 30 qershorit, është absolutisht i pavlefshëm, kjo pasi kushtetuta i jep të drejtë presidentit, vetëm të caktojë datën e zgjedhjeve, në respektim të afateve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor. Tej kësaj kohe – çmon kolegji – presidenti nuk ka më asnjë kompetencë për të vepruar, pra, as mund të ndryshojë dhe as mund të shfuqizojë datën e zgjedhjeve. Me argumentin se nuk ka respektuar parashikimet e Kodit Zgjedhor, kolegji është i mendimit se dekreti i tij bie në kundërshtim të hapur me Kodin e Procedurave Administrative.

Referuar precedentit të 12 viteve më parë, kolegji arsyeton se “Vetëm ligji mund ta lejojë që Presidenti të ndryshojë apo të shfuqizojë datën e zgjedhjeve, sikurse ka ndodhur në vitin 2007, kur Kuvendi u detyrua të ndryshojë Kodin Zgjedhor për të mundësuar këtë”.

Kolegji Zgjedhor çmon se Presidenti i Republikës, nëpërmjet anulimit të datës së zgjedhjeve të 30 qershorit, në mungesë të kompetencës ligjore dhe tej afateve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor, ka marrë kompetencat e Kuvendit të Shqipërisë.

Në vijim, Kolegji Zgjedhor thekson se anulimi i datës së zgjedhjeve në mungesë të kompetencës ligjore dhe në shkelje të afateve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor bën që në fakt, shtetasve shqiptarë me të drejtë vote t’iu mohohet e e drejta për të zgjedhur, çka bie ndesh me parashikimet e Komisionit të Venecias dhe Parimet bazë të trashëgimisë Elektorale Evropiane.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb