Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) mund të akuzojë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarët e tij të lartë për krime lufte dhe të lëshojë urdhër arresti për ta që në fillim të kësaj jave, raportoi NBC News.

Duke cituar një zyrtar izraelit, rrjeti amerikan pretendoi se mund të lëshoheshin urdhra për Netanyahun, Ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant dhe oficerë të lartë ushtarakë të paidentifikuar. Zyrtari tha se “Izraeli po punon përmes kanaleve diplomatike në përpjekje për të ndaluar lëshimin e urdhër-arresteve”, sipas NBC.

Sipas mediave izraelite, shefi i ushtrisë Herzl Halevi është në mesin e zyrtarëve ushtarakë që përballen me akuza.

ICC nuk e konfirmoi apo mohoi raportin, duke i thënë NBC se “ka një hetim të pavarur në vazhdim në lidhje me situatën në Shtetin e Palestinës” dhe nuk ka “asnjë koment të mëtejshëm për të bërë në këtë fazë”.

Hetimi i ICC-së filloi në vitin 2021 dhe ka të bëjë me krimet e dyshuara të luftës nga ushtria izraelite dhe grupet militante palestineze në Bregun Perëndimor dhe Gaza që nga viti 2014, kur Izraeli zhvilloi një luftë njëmujore kundër Hamasit.

Hetimi është i ndarë nga rasti i gjenocidit të Afrikës së Jugut kundër Izraelit, i cili aktualisht po shqyrtohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ). Forcat izraelite kanë kryer gjenocid dhe krime kundër njerëzimit gjatë operacionit të tyre të vazhdueshëm kundër Hamasit në Gaza.

ICC dhe ICJ janë të dyja me seli në qytetin holandez të Hagës. Sipas Statutit të Romës të vitit 2002, GJNP-ja ka për detyrë të ndjekë penalisht individët për gjenocid, krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe ‘krim agresioni’. GJND-ja nga ana tjetër është një organ i OKB-së i ngarkuar me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet kombeve.

Nëse ICC lëshon një urdhër për arrestimin e Netanyahut, kryeministri izraelit nuk ka gjasa të dërgohet në Hagë për t’u përballur me gjyqin. Izraeli si SHBA, Rusia dhe Kina nuk është palë në Statutin e Romës dhe nuk e njeh juridiksionin e gjykatës. Megjithatë, një urdhër-arrest mund ta vendoste Netanyahun në rrezik arrestimi nëse ai do të udhëtonte në ndonjë nga 124 vendet që njohin gjykatën.

Pasi lajmet për një akuzë të mundshme për krime lufte u shfaqën javën e kaluar, Netanyahu deklaroi të premten se Izraeli “nuk do të pranojë kurrë asnjë përpjekje nga GJNP për të minuar të drejtën e tij të natyrshme për vetëmbrojtje”.

“Kërcënimi për të kapur ushtarët dhe zyrtarët e të vetmes demokraci të Lindjes së Mesme dhe të shtetit të vetëm hebre në botë është skandaloz. Ne nuk do t’i përkulemi”, shkroi ai në X (ish-Twitter).

 

 (A.A/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb