KAVAJË
Një vrasje ka tronditur sot qytetin e Kavajës. Një person është vrarë me armë zjarri në mes të qytetit e në mes të ditës, në një zonë plot me kalimtarë. Viktima ende i paidentifikuar sipas informacioneve të para është një burrë rreth 50 vjeç, kalimtar i rastit që nuk ka pasur lidhje me konfliktin mes 2 gruepeve kriminale.
“BalkanWeb” ka siguruar pamjet e para nga vendi i ngjarjes, ku shihet viktima me këmishë të bardhë e pantallona të zeza, i shtrirë përmbys në rrugë, pranë një kryqëzimi. Pranë tij kishte qesen e bukës së sapoblerë. Siç mund të shihet nga pamjet, plagët e shkaktuara nga plumbat i ka marrë në pjesën e barkut. Policia ka rrethuar vendin, ndërkohë që ka mbërritur edhe një autoambulancë për të marrë trupin e pajetë.
(m.k/BalkanWeb)