Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar të martën ambasadoren e re të Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamaki, të cilën e përgëzoi për detyrën e re dhe misionin e saj fisnik të përfaqësimit të Finlandës në Kosovë dhe me këtë rast e njohu me zhvillimet aktuale në Kuvend.

Ambasadorja Huhtamaki e njohu kryetarin Veseli me prioritetet, duke theksuar se ajo dhe vendi i saj e mbështesin fuqishëm stabilitetin, sundimin e ligjit, thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Finlandë dhe përkrahjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Veseli e falënderoi Huhtamakin për mbështetjen e vendit të saj, në veçanti në fushën e edukimit dhe sundimin e ligjit, duke theksuar se zhvillimi ekonomik, arsimimi i të rinjve dhe sundimi i ligjit, përbëjnë bazën e prioriteteve të institucioneve të Kosovës.

Bashkëbiseduesit u dakorduan se deri më tani, në marrëdhëniet në mes të dy vendeve, janë bërë zhvillime por ka shumë mundësi për zgjerimin dhe begatimin e këtyre marrëdhënieve, jo vetëm në fushën parlamentare dhe qeverisjes, por edhe atë ekonomike e kulturore.

Po ashtu, ambasadorja theksoi se Finlanda do të jetë mbështetëse e fuqishme e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në veçanti në UNESCO.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: