Nga: Akademik Emin Riza*
Prej kohësh kam menduar të shkruaj një artikull vijues të atij të tim eti Selman Rizës, “Diletantizmi dhe zanati”, botuar në gazetën “Përpjekja shqiptare”, Tiranë 1938. Titullit pararendës do t’i shtoja numrin II romak. Leximi i shkrimit të z.Përparim Kabo, në “Gazetën Shqiptare”, të datës 15.07.2015, “Gjirokastra në UNESKO, historia që pak dihet!, si rrallë herë më habiti dhe tronditi njëherazi. Termi, “e vërteta”, aty ishte dhunuar sheshazi, nga trillime të njëpasnjëshme, duke pasur ato si mbështetje të rreme të pseudokonkludimeve.
Së pari, zgjodha injorimin, por mendja më shfaqte përherë dhe më ngultas, këtë dukuri shtrembëtare të cilën, më mirë se kushdo, unë mund dhe duhej ta trajtoja, mbi të vërtetat e prekshme. Ideja për të shfaqur brengosjen për shpërfilljet e qarta të veprimtarive të intelektualëve, shfaqja e gjerë e “të gjithëditurve”, më tej e pushtetarëve “themelvënës”, vijues të atyre të enverizmit, apo bolshevizmit të skajmë, me këtë rast nuk duhej shpërfillur. Vendosa të shpërfaq të dhënat e sakta për historikun e vlerësimit të Qendrës Historike të Gjirokastrës. Fillimisht po paraqes shtrembërimet e spikatura të autorit të shkrimit të cituar, duke theksuar se ato lidhen vetëm me të, dhe aspak me personalitetet të cilëve, ai iu atribuon merita të paqena mbi procesin e njohjes së Qendrës Historike të Gjirokastrës, Pasuri Botërore.
Autori i shkrimit e fillon atë me “…punë ekselente e studiuesit dhe akademikut Vaso Tole”, për shpalljen e isopolifonisë Pasuri Botërore. Ai, më pas përmend edhe tri njësi të tjera monumentale shqiptare, shpallur Pasuri Botërore më parë, Qendrën Arkeologjike të Butrintit, Qendrën Historike të Gjirokastrës dhe atë të Beratit. Ai nuk përmend emrat e hartuesve të dosjeve për këto qendra, prof. Gjerak Karaiskaj për të parën dhe Akad. Emin Riza, për dy të tjerat.
Autori pohon se “puna”, siç shprehet ai, për pranimin e Gjirokastrës dhe herë të lagjes “Kala” të Gjirokastrës, etj, paska filluar në pranverën e vitit 2004, siç e paska njoftuar z. Vaso Tole. Më tej, ky i fundit ka shtuar: – porse pa një lobim të fuqishëm, është thuajse e pamundur, sepse lista e aplikantëve është shumë e gjatë”. Pra thelbësore nuk qenka paraqitja profesionale e realitetit Qendër Historike e Gjirokastrës, por lobimi për të, – dhe ku? – në UNESKO, qendrën kulturore elitare botërore, në të cilën marifetet shqiptare dhe përgjithësisht prapamendësore, e kanë rrugën e prerë. Autori me pohimet e mësipërme, gjithë duke i miratuar ato, krahas nënvleftësimit të UNESKO-s, shpërfill edhe vlerat e vërteta të Gjirokastrës shqiptare, të cilat ngrihen monumentale mbi çdo lobim. Ai, gjithashtu zhvlerëson përfaqësuesen tonë në UNESKO, znj. Tatajana Gjonaj, e cila, me të drejtë kishte pohuar se UNESKO ka rregulla strikte, dhe ka dhënë ndihmesa të prekshme në cilësimin Pasuri Botërore të dy qendrave tona historike, siç pohon edhe autori me cilësimet e tij të motivuara dyzueshëm.
Sipas autorit, realizimi i kërkesës që Qendra Historike e Gjirokastrës të shpallej Pasuri Botërore, paska qenë e grupit të paqenë, me pjesëtarë kryeministrin Nano, muzikologun V. Tole, zv/kryeministrin Dokle dhe vetë z. Kabo. Ky shtrembërim fillonte me porosinë e prerë, të qartë dhe pa të drejtë negocimi për futjen e Gjirokastrës në UNESKO, dhënë prej kryeministrit. Pritja e delegacionit të ekspertëve të ICOMOS, prej zv/kryeministrit N.Dokle, i cili në këtë takim, me fjalën i tij, sipas autorit, arriti pikën e kthesës. Delegacioni i ekspertëve, ndryshoi vlerësimet e kryera gjatë vrojtimit të Gjirokastrës dhe dosjes për të? Autori më tej, i paska pohuar shefes së delegacionit të ICOMOS, italiane nga kombësia se: “… kryeministri është me origjinë nga Gjirokastra, është akademik dhe do futjen e qytetit të gurtë, Lagjja Kala, si pasuri e trashëgimisë botërore në UNESKO. Më tej z.Dokle i drejtohet z. Kabo: “Ju falënderoj, z.Kabo, kishit bërë një punë të shkëlqyer dhe besoj se do t’ia dalim mbanë”. Për rastin e dosjes së Gjirokastrës, sipas autorit të artikullit: “Kryeministri do të hynte në historinë e vendit të tij, duke u kujtuar se ai regjistroi në trashëgiminë botërore një pjesë të historisë së vendit të tij”. Nuk po vazhdoj më tej me këto qëmtime, me lidhje tejet anësore me thelbin profesional të përgatitjes së materialit, apo dosjes përkatëse, për kërkesën e pranimit të Qendrës Historike të Gjirokastrës Pasuri Botërore.
Është rasti për të shpërfaqur përvojën shqiptare në procesin, thellësisht profesional, të përzgjedhjes së veprave për t’u propozuar Pasuri Botërore, dhe atij të hartimit të dokumentacionit përkatës. Është qartësisht e kuptueshme se kërkesa, përfshin materialin dokumentar, i cili duhet hartuar prej profesionistëve më të kualifikuar të fushës, së cilës i përket monumenti, apo bashkësia monumentale. Natyrshëm, në këtë veprimtari, shteti mbrojtësi ligjor i monumenteve, në mbarë botën, është miratues përfundimtar i fillesave dhe vijimësisë së këtij procesi, larg së qeni autor i saj. Edhe rasti shqiptar, është shembull i prekshëm i zbatimit të kësaj praktike. Kështu, Instituti i Monumenteve të Kulturës, nëpërmjet specialistëve të saj të fushave përkatëse, ka kryer procesin e hartimit të dokumentacionit shoqërues të kërkesës për Pasuri Botërore. Kërkesat e formuluara prej UNESKOS për shqyrtimin e propozimeve, janë thellësisht analitike dhe parakuptojnë studime sistematike për vlerat e propozuara, në rrafsh kombëtar dhe më gjerë. Ato përfshijnë: përshkrimin e Pasurisë së propozuar, historikun dhe zhvillimin, përmbushjen e kritereve të përcaktuara, deklarimin e vlerave të jashtëzakonshme universale, analizën krahasuese, integritetin dhe autenticitetin, gjendjen e sotme të konservimit, faktorët që prekin Pasurinë, të drejtën e pronësisë, klasifikimin e mbrojtjes, mjetet e zbatimit të masave mbrojtëse, burimet për kualifikim në teknikat e reja të konservimit dhe menaxhimit, materiale grafike e fotografike, etj. Kuptueshëm, ripërsërisim dhe prej përvojës sonë, se hartuesi i dokumentacionit, detyrimisht duhet të jetë studiues i mirëfilltë i pasurisë, për të arritur në përcaktime sintetike dhe të bazuara të kërkesave dhe standardeve të UNESKO-s. Më tej, hartuesi i dokumentacionit, apo shkurtas dosjes, duhet të jetë njohës i llojshmërisë së monumentit të propozuar në rrafsh kombëtar dhe më gjerë, sepse kërkesa është për Pasuri Botërore. Vijmë kështu te autorësia e propozimit, e cila kuptueshëm është e hartuesit, apo hartuesve të saj. Kjo autorësi, as për së largu, nuk cenon meritat madhore, unikale, të ndërtuesve mbarëshekullorë të pasurisë, si dhe ndihmesat pararendëse dhe bashkëkohore studimore dhe vlerësuese të kësaj pasurie.
Kalojmë tani në paraqitjen e vijishmërisë së ngjeshur 15-vjeçare për shpalljen e Qendrës Historike të Gjirokastrës Pasuri Botërore. Në vitin 1972, UNESKO miratoi aktin e rëndësishëm “Konventa për mbrojtjen e Pasurisë botërore kulturore dhe natyrore”. Në vitin 1989, Shqipëria anëtarësohet në Konventën e mësipërme. Viti 1990, shënon ngjarjen e rëndësishme për kulturën shqiptare, atë të përgatitjes së pesë kërkesave drejtuar UNESKO-s, për shpalljen Pasuri Botërore të Qendrave Historike të Beratit dhe Gjirokastrës, Qendrës arkeologjike të Butrintit, Amfiteatrit të Durrësit dhe Varreve të Selcës. Për hartimin e dosjeve, sipas fushave, u ngarkuan studiuesit më të kualifikuar, përkatësisht Emin Riza për dy dosjet e para, Gjerak Karaiskaj për të tretën dhe të katërtën, ndërsa Neritan Ceka për Varret e Selcës. Dosjet e përfunduara, iu dorëzuan UNESKO-s, prej ministrisë përkatëse, në emër të qeverisë shqiptare. Prej UNESKO-s, vijnë disa kërkesa lidhur me dokumentacionin e lartpërmendur. Përgjigja iu dërgohet prej hartuesve respektivë të tyre, në shtator të vitit 1990. Ngjarjet historike të përmbysjes së regjimit diktatorial në vendin tonë, shoqëruar me turbullira qeverisëse, praktikisht pamundësuan ndjekjen e ecurisë së konsiderimit të dosjeve. Me kënaqësi të shpjegueshme, mësuam se në vitin 1995, Qendra Arkeologjike e Butrintit, paraqitur si kërkesë në UNESKO, me dosjen e hartuar prej studiuesit Gjerak Karaiskaj, u shpall e para Pasuri Botërore Shqiptare.
Gjendjen, disi përharruese, lidhur me ndjekjen e ecurisë së kërkesave për shpalljen Pasuri Botërore të monumenteve shqiptarë, e rigjallëroi përfaqësuesi më në zë i kulturës shqiptare, shkrimtari i shquar Ismail Kadare. Ai me nismë vetjake, kërkoi riparaqitjen e dosjes për cilësimin e qendrës historike të Gjirokastrës Pasuri Botërore. Pikërisht pas kësaj ngjarjeje, u rihap rruga zyrtare për ritrajtimin e dosjes së Gjirokastrës. Drejtori i Qendrës së Pasurisë Botërore të UNESKO-s, Francesco Bandarin, me letrën e dt.03.06.2001, i sugjeron palës shqiptare riparaqitjen e dosjes së qendrës historike të Gjirokastrës me kërkesën për shpalljen e saj Pasuri Botërore. Kuptueshëm, sërish ngarkohet Emin Riza për rihartimin e kërkesës së re për qendrën historike të Gjirokastrës. Theksojmë se që prej vitit 1990, kur u paraqit kërkesa e parë, të dhënat që duheshin përfshirë në dosjen përkatëse ishin zgjeruar, thelluar dhe saktësuar dukshëm. Puna rifilloi menjëherë dhe më 21.05.2002, kërkesa, shoqëruar me dokumentacionin përkatës dërgohet në UNESKO. Për llojshmërinë e veçantë të qendrës historike të Gjirokastrës dhe rritjes së vijueshme të kërkesave për identifikimin e vlerave të saj të shquara unikale, pas kësaj paraqitje fillon vazhda e kërkesave për informacione suplementare, apo shpjegime më të detajuara. Krahas, ato shoqërohen edhe me ardhjen e specialistëve të UNESKO-s, madje dhe në grup dhe rrallë edhe paraqitjen prej nesh në UNESKO.
Më 07.06.2002, z.Bandarin, kërkon informacione suplementare. Ndërkohë UNESKO dërgon në Shqipëri ekspertin Dr. Alkiviades Prepis, i cili qëndroi dy javë, duke ndihmuar në përmbushjen e kërkesave për dosjen, e cila ridërgohet. Në fillim të vitit 2003, z.Bandarin kërkon kërkesa të reja, të cilat pasohen prej ardhjes së ekspertit P.Falini, i cili qartëson prekshëm kërkesat dhe jep ndihmesa konkrete. Kështu ridërgohet serish dosja e Gjirokastrës në UNESKO. Por profesionalizmi dhe rregullat strikte të UNESKO-s, dhe sipas nesh, vlerësimi i qendrës historike të Gjirokastrës, ishin shkaqet kryesore të kërkesave të njëpasnjëshme për pasurimin e dosjes së Gjirokastrës. Në këtë rrjedhë, në fund të vitit 2003, F. Brugman, në emër të UNESKO-s kërkon shpjegime plotësuese, të cilat i dërgohen në 08.01.2004. Z. Brugman viziton edhe vetë Gjirokastrën. Për të pasur dije sa më profesionale dhe njëherazi të paanshme për vlerat e Gjirokastrës, Komiteti i Pasurisë Botërore të UNESKO-s, në maj të vitit 2004, dërgon në Gjirokastër një grup prej pesë ekspertësh. Grupi vizitoi qytetin dhe paraqiti relacionin përkatës, i cili, ka ndikuar në vijimësinë pozitive të rrugës për shpalljen e Qendrës Historike të Gjirokastrës Pasuri Botërore. Më pas autori i dosjes së Qendrës Historike të Gjirokastrës, në mbarë hartimet dhe plotësimet e kërkesave për sqarime dhe saktësimin e saj, Emin Riza në prani të Znj. T. Gjonaj, pritet në UNESKO prej z. Francesco Bandarin. Aty pata rastin të shpjegoj përmbledhtas vlerat e Gjirokastrës, e cila nuk pati kontestime, shoqëruar me vlerësime për variantin e fundit të dosjes
Në mars 2005, Qendra Historike e Gjirokastrës u përzgjodh prej ICOMOS, nga grupi prej 40 kandidaturash, në atë të 15 monumenteve, të cilat do të shqyrtoheshin në mbledhjen e radhës së sesionit 29 të Asamblesë së Komitetit të Trashëgimisë Kulturore Botërore. Në këtë Sesion, mbajtur në Durban të Afrikës së Jugut në qershor të 2005, Gjirokastra shpallet Pasuri Botërore, duke pasuar, si qendra e dytë shqiptare, Qendrën Arkeologjike të Butrintit.
Vlerësimi i Qendrës Historike të Gjirokastrës, qe një tregues tepër i rëndësishëm për rikonsiderimin e qendrës paralele, asaj të Beratit, madje me optimizëm, tashmë të mbështetur. Menjëherë IMK, ngarkoi Emin Rizën për hartimin e dosjes dokumentare për kërkesën në UNESKO të shpalljes së Qendrës Historike të Beratit Pasuri Botërore. Ai do të ndihmohej për të dhëna më të gjera dhe të sakta, prej punonjësish, veprimtarë për mbrojtjen e qytetit-muze të Beratit, si dhe prej botimeve studimore në fushat e ndërtimeve mbrojtëse dhe atyre të kultit në shekuj, në këtë qendër, e cila nga shumë këndvështrime është sa e rrallë, aq dhe me vlera mbarëkombëtare. Kuptueshëm, përvoja e fituar e lehtësonte veprimtarinë për hartimin e dosjes së Beratit. Kërkesa për shpalljen e Beratit Pasuri Botërore u shqyrtua së pari, në sesionin 31 të Asamblesë së Komitetit të Trashëgimisë Kulturore Botërore. Kjo instancë, i sugjeroi qeverisë shqiptare, paraqitjen e një kërkese të re, në të cilën të përfshiheshin Qendrat Historike të Gjirokastrës dhe të Beratit, si qendra në seri. Arsyet qenë formale dhe aspak thelbësore, pra të palidhura me dëshmitë e rëndësishme të këtyre qendrave me vlera të jashtëzakonshme universale. Rifilloi puna për hartimin e dokumentacionit përkatës, i cili kuptueshëm, nuk do të ishte një bashkim mekanik i dy dosjeve të veçanta. Kuptueshëm, sërish për hartimin e saj u caktua Emin Riza, ndërsa plani i menaxhimit iu ngarkua dy arkitektëve italianë. Pas përfundimit të hartimit të dosjes dyshe, në janar 2008, UNESKO dërgon në Berat, specialistin e njohur Azedin Beçaush, i cili e rishikoi atë përfundimisht, duke kryer disa përmirësime. Dosja, menjëherë iu dërgua UNESKO-s. Në sesionin e 32 të K.P.B. të mbajtur në Kebek të Kanadasë, në korrik të vitit 2008, Gjirokastra dhe Berati shpallen Pasuri Botërore.
E fillova këtë shkrim me përmendjen e artikullit ende bashkëkohor “Diletantizmi dhe zanati”, i cili këtë realitet tonin, vijon ta shprehë. Rasti në trajtim është tregues. Por këtij realiteti, i duhet shtuar edhe vesi i shtrembërimit të të vërtetave, i cili fatkeqësisht për përfitime kohëshkurtra, bashkëjeton me mentalitete profane. Më ngushtas, jam “pa da”, prej 50 vjetësh, studiues i arkitekturës popullore shqiptare, kryesisht asaj qytetare. Deri më sot kam shkruar 19 monografi dhe tekste universitare (në 6 bashkautor), 90 artikuj në revista shkencore (në 7 bashkautor), 22 kumtime në konferenca ndërkombëtare, 83 ndërtime propozuar dhe shpallur “monument”, hartuar 27 projekte restaurimi për monumente të kat. I. Qytetar Nderi i Gjirokastrës dhe Beratit. Që prej vitit 2004, përfshirë dhe në studimin e banesës qytetare kosovare, për të cilën kam hartuar tre monografi. Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, gjithashtu, autor i albumit “Gjirokastra qytet-muze”, botuar në katër gjuhë më 1978 dhe monografia “Qyteti muze i Gjirokastrës” 1980, 2004. Ja pse natyrshëm, jam hartues i mbarë varianteve për përfshirjen e Qendrave Historike të Gjirokastrës dhe Beratit Pasuri Botërore.
*Titulli në origjinal: “Qendrat historike të Gjirokastrës dhe Beratit, Pasuri Botërore, në rrjedhë të vlerësimit”
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
