DURRES- Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 18- vjeçarin nga Durrësi Argjend Ajdini, i cili me anë të mashtrimit ka mundur t’i marrë të dashurës së tij 5670 euro dhe vijonte ta shantazhonte me anë të një videoje intime, e cila ishte xhiruar me telefonin e autorit. Ai e kërcënonte se do ta postonte videon në Youtube. Ajdini akuzohet nga ish-e dashura dhe familja e saj për vjedhje të sendeve me vlerë në shtëpinë e tyre gjatë kohës që vizitonte vajzën.

Mësohet se në sallën e gjyqit 18-vjeçari ka thënë se është ende në një lidhje dashurie me vajzën. “Paratë i shpenzova me të dashurën S.B. Jam akoma në një lidhje me të dashurën time”.

Kujtojmë se gjimnazistja S.B. ka qenë nën presion të vazhdueshëm nga i dashur i saj, me anë të një videoje që ai posedonte dhe prandaj ajo i ka dhënë atij në total 5670 euro, para të cilat i merrte nga familja. Për të bërë denoncimin e reja është mbështetur edhe nga familjarët e saj.

Burime nga Policia e Durrësit bënë me dije se Argjend Ajdini dhe vajza 18-vjeçare, nxënëse e një prej gjimnazeve të qytetit bregdetar, kishin një lidhje disamujore. Që nga muaji janar i këtij viti, Ajdini sajonte probleme dhe kishte nisur t’i kërkonte para të dashurës së tij. Nëpërmjet mashtrimit, 18-vjeçari, në harkun e pak muajve, i mori të dashurës 5670 euro.

Këto para vajza i vidhte në shtëpinë e saj. Prindërit e saj kishin pikasur mungesën e kursimeve të familjes dhe dyshuan te vajza. Kjo e fundit ishte e detyruar ta mbante gojën të mbyllur, pasi i dashuri i saj e kërcënonte vazhdimisht me publikimin e një videoje të xhiruar me telefonin e tij teksa kryenin marrëdhënie seksuale. Sipas vajzës, videoja është realizuar gjatë muajit janar të këtij viti.

“Në Policinë e Durrësit ka mbërritur vetë 18-vjeçarja, banore e lagjes numër 4 në Durrës, nxënëse në një prej gjimnazeve të qytetit, e cila para inspektorit të policisë ka denoncuar të dashurin për paratë e grabitura, prej muajit korrik nga i dashuri i saj, Argjend Ajdini, banor i lagjes 17, edhe ky gjimnazist në një tjetër shkollë”, sqaroi policia. Mësohet se djali ka pasur hyrje- dalje të shpeshta gjatë stinës së verës te shtëpia e të dashurës në lagjen numër 4 të qytetit bregdetar.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: