SERBI
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në një intervistë për median prestigjioze gjermane “Der Spiegel” ka deklaruar se Minishengeni Ballkanik “është projekti më i mirë i 30 viteve të fundit”.
“Projekti “mini-Shengen” është një nga gjërat më të mira që ka ndodhur në këtë rajon në 30 vjet. Nuk ka më luftë, jo më therje, përkundrazi një lloj Skandinavie për të varfërit. Ne mund të bëhemi një motor zhvillimi për të gjithë Evropën”-tha ai.
Kjo lëvizje e re është përballur me kritika të forta, ku shumë figura kanë sulmuar edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. I pyetur se a do të bëhet Kosova pjesë e kësaj sfere, Presidenti i Serbisë u përgjigj me fjalët “ Kosovarët nuk dinë se çfarë duan”.
Gjithashtu ai nuk kaloi pa komentuar mbi kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurtin, për të cilin theksoi se ka të ngjarë të bëhet udhëheqësi i Shqipërisë së Madhe.
“Albin Kurti ka të ngjarë se është udhëheqësi i tyre i radhës, kjo tingëllon sikur dëshiron të bëhet udhëheqës i Shqipërisë së Madhe. Kosova e sheh veten si shtet, por ne s’e shohim të tillë”-shtoi Vuçiç, ndërsa la mundësinë e hapur për arritjen e një kompromisi me Kosovën.