TIRANE- Nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë, u mblodh në Tiranë Asambleja Parlamentare e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi ku morën pjesë delegacione nga Turqia, Rumania, Shqipëria, Armenia, Bullgaria, Gjeorgjia, Moldavia, Rusia, Serbia, Ukraina dhe Greqia. Nënkryetarja e Kuvendit, Valentia Leskaj në fjalën përshëndetëse tha se bashkëpunimi shumëpalësh në kuadër të kësaj organizate, kontribuon për paqen, sigurinë dhe prosperitetin ekonomik të vendeve anëtare.
Leskaj theksoi se vlerat e trashëgimisë kulturore janë aset i jashtëzakonshëm i rajonit tonë, por ruajtja e saj përballet me sfida.
Sipas deputetes socialiste, “vlerat e trashëgimisë sonë, janë rrënjët tona”. Nisur nga Kjo Leskaj tha se është me rëndësi ruajtja e kulturës kombëtare, pasi kjo nuk është çështje e një vendi të vetëm.
“Na ka ndërgjegjësuar shkatërrimi i vlerave kulturore”, tha Leskaj.
Konferencën e përshëndeti edhe Sekretari i Përgjithshëm i PABSEC, z. Asaf Hajiyev, i cili falënderoi Kuvendin e Shqipërisë për mikpritjen dhe uroi vendin tonë për suksesin e Kombëtares Shqiptare në Kampionatin Europian.
(el.sp/BalkanWeb)