LEZHE– Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme një bashkëbisedim me drejtuesit e bizneseve të Lezhës, për t’u njohur me shqetësimet e tyre. Basha theksoi se treguesit e sotëm në ekonomi janë në rënie dhe kjo ka një shpjegim.

Kreu i PD tha se politikat e ndermarra nga qeveria mes të cilave dhe aksioni i fundit kundër informalitetit nuk ka sjellë impakte pozitive ndërsa solli shembullin e mungesës në buxhet të 250 mln dollarëve ku vetëm në muajin shtator, në kulmin e luftës kundër informalitetit mungojnë 35 milionë dollarë.

“Dua te jem fare i qartë si kryetar i Partisë Demokratik, si kryetar i opozitës,  ne jemi për shtet ligjor nuk ka diskutim, zbatimi i ligjit është një nga garancitë më të mëdha që mund të ketë biznesi por ndryshimi arbitrar i ligjit dhe në veçanti  i disa ndryshimeve ne sistemin e tatim-taksave, shtimit të këtyre taksave të biznesit dhe aplikimi në mënyrë selektive i këtij ligji jo vetëm që nuk ka sjellë dhe nuk mund të sjellë përmirësime, por sjell përkeqësim dhe rënie ekonomike. Jemi një nga vendet e pakta të botës ku brenda natës tatimi u rrit me 5%, nga 10% në 15%, tatimi i fitimit. Çfarë efektesh ka sjellë kjo e kemi të qartë. Nga njëra anë bizneseve informale për tu formalizuar u ka sjellë një kosto të jashtëzakonshme financiare. Nga ana tjetër ka rritur informalitetin duke deturuar bizneset të cilat nuk janë në gjendje, për të paguar këto taksa, të zhyten gjithnjë e më shumë në bilance të dyfishta, apo të vënë drynin qepenave dhjetëra, apo qindrave bizneseve. Pra asnjë nga efektet e dëshiruara, as rritje e punësimit, as rritje të ardhurat. Përkundrazi të ardhurat kanë rënë dhe vazhdojnë të bien në rënie të lirë. Të shohim tetorin, po shtatori që ka qenë edhe muaji i shpalljes të aksionit kundër informalitetit ka sjellë 35 mln dollarë më pak se plani”, theksoi Basha.

Kryetari i PD-së ka shpalosur disa pika të platformës së demokratëve të cilat po konsultohen me biznesin siç është e rritja e kufirit të biznesit të vogël.

Për biznesin e vogël parashikojmë rritjen e kufirit deri në 120 milionë lekë të vjetra dhe parashikojmë katër shkallë tatimore. Pagesat e kësaj takse do të konfirmohen përmes një shenjë të dukshme, një pulle fiskale në vitrinën, në një ambient të dukshëm të biznesit të vogël. Vendosja e kësaj pulle, është ndalim kalimi për tatimorët. Asnjë agjent tatimor nuk do të mund të ushtrojë arbitraritetin e tij, asnjë inspektor tatimorë nuk mund të hyjë në një biznes që ka demonstruar pullat e pagesës së rregullt në xhamin e vitrinës, dritares, apo ambienteve” theksoi kreu i demokratëve.

Po kështu, Basha bëri te ditur uljen me 6 % të nivelit të taksës së tatim fitimit dhe vendosjen e taksës së sheshte në masën 9% më të ultën në rajon.   

“Për biznesin e madh vendosja e taksës së sheshtë prej 9%, pra ulja me 6% e nivelit aktual të taksës. Sipas simulimeve tona fillestare vetëm kjo masë riqarkullon në ekonomi, afro 450-500 milionë euro. Janë para të cilat mund dhe duhen, të destinohen për të hapur vende të reja pune, për të rritur kapacitetet prodhuese apo të shërbimit, pra për ti dhënë një impuls ekonomisë. Rreth 500 milionë euro forcojnë  konsumin, rikthejnë besimin në ekonomi, rikthen besimin tek tregu, pra bën një klimë pozitive për investime, për punësim. 500 milionë të cilat nuk përfundojnë në buxhetin e shtetit, por përfundojnë në xhepat e oligarkisë dhe pushtetarëve të korruptuar. Këto para do ti  rikthehen tregut, konsumatorëve, të punësuarve ekzistues dhe të rinjë, investimeve nga biznesi, ky është objektiv madhor i platformës tonë”,-  u shpreh Basha.

Duke iu pergjigjur shqetësimit të biznesit, Basha ka theksuar se do të ulet deri në nivelin 1% TVSH-ja për energjinë dhe uljen me 240 lekë të taksës së qarkullimit.

“Masa drastike sa i përket dy komponentëve kyç për ekonominë, që janë nafta dhe energjia elektrike. Si pjesë e plaftormës tonë do të jetë reduktimi i menjëhershëm i taksës së qarkullimit me një shumë prej 24 lekësh të reja, apo 240 lekësh të vjetra. Ulja e çmimit të naftës me 240 lekë të vjetra është një impuls i madh për ekonominë.

Për çmimin e energjisë po studiohet ulja e nivelit të TVSH-së për energjinë deri në nivelin 1%, kjo do të thotë do të vazhdojë një sektor në mendie të qeverisë sa i përket inkasimit, shpërndarjes drejt dhe jo selektive dhe jo të shërbejë si një lopë që milet tre herë. TVSH-ja mbi energjinë nuk duhet të jetë një resurs i mbushjes së gropave të krijuara nga kontrabanda, nga evazioni dhe korrupsioni, por duhet të jetë një instrument i politikës fiskale për të nxit biznesin, për të nxit prodhimin dhe për ti ardhur në ndihmë si konsumatorit ashtu edhe biznesit”,- theksoi Basha

Duke e krahasur klimen me të cilën përballet biznesi si në situatë luftë, zoti Basha tha se krahas platformës qeverisëse, do tëpërvijojet shpejt edhe një paketë urgjente shpëtimi për ekonominë. Edhe nese nuk e miraton mzhoranca, zoti Basha tha zbatimin e saj do ta mundësojnë me forcën e bashkuar të njerëzëve, konsumatorëve dhe biznesit.

 “Klima me të cilën përballet biznesi sot është një klimë lufte, as në vendet e pushtuara nuk sillet administrata në mënyrë të tillë siç sillet me biznesin kjo administratë, ky pushtet. Kërcënimi me burg ndaj punëdhënësit, ndaj prodhuesit, ndaj sektorëve të shërbimit, që tani duan ta ligjërojnë për mospagim taksash është një mendësi mesjetare e cila kurrsesi nuk garanton as mbledhjen më eficencë të ardhurave, as rritje ekonomike. Përdorimi arbitrar i ligjeve në fuqi dhe atyre që duan të kalojnë duke mos prekur ata që mbushin xhepat e tatimorëve dhe qeveritarëve, duhet të marrë fund një orë e më parë.

Duke thënë një orë e më parë, do të thotë që koha nuk pret as për shpallje të reformës tonë, as për zgjedhjet e ardhshme. Jemi në prag të një krize ekonomike, të një depresioni ekonomik, të një recensioni në parametrat e krizë greke. Shqipëria nuk mban më, biznesi shqiptar nuk mban më, ndaj krah platformës qeverisëse, do të  përvijojmë dhe japim formë shumë shpejt edhe një pakete urgjente shpëtimi për ekonominë.

Të cilën nëse nuk arrijmë ta kalojmë në Parlament duke sensibilizuar kartonat e qeverisë duhet patjetër ta kalojmë me forcën e bashkuar të njerëzëve, konsumatorë dhe biznesmenë”, tha Basha.

(d.b/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb