Kryeministri Edi Rama hodhi idenë e qendërzimit, në zonat e prekura nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit. Në mbledhjen e tretë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, kreu i qeverisë tha se është shumë e rëndësishme t’i bindim banorët e zonave rurale të afrohen me njëri-tjetrin, në mënyrë që të marrin shërbimet, që iu mungojnë.

Më tej, kryeministri Rama premtoi se “Ne do garantojmë, në një fazë tjetër pas rindërtimit, që të arrijmë t’i fshijmë nga faqja e Shqipërisë të gjitha banesat e mjerimit. Ne kemi nxjerrë nga kushtet mizerabël shumë familje, por ky do jetë një proces, që do të vijojë”.

Pjesë nga fjala e Ramës në mbledhjen e Komitetit Kombëtar:
Shumë shpejt do kemi aty skenarët. Një gjë dua ta theksoj, duke marrë psh Laçin. Laçi ka një potencial të konsiderueshëm, dhe nëse do arrijmë të bëjmë gjënë e duhur, do arrijmë të krijojmë jo vetëm kushte më të mira banimi për ata që humbën shtëpitë, por do arrijmë të krijojmë dhe një pol të një ekonomie lokale më dinamike. Laçi është një pikë që mbledh rreth 3 milionë turistë në vit, brenda dhe jashtë vendit, që shkojnë në pikën e peligrinazhit. Nëse ndërhyrja do të sjellë energjinë e një transformimi, ne do t’i japim një mundësi të re edhe ekonomike.

E dyta, qendërzimet. Është shumë e rëndësishme që ne t’i bindim banorët e zonave rurale të afrohen me njëri-tjetrin, që të krijohen qendërzime, komunitet. Nëse sot një familje në fshat, që jeton me kilometra të tëra jashtë shërbimeve, nesër me qendërzimet shërbimet i mundësohen aty.

Thumana është shumë kritike, por me këtë ndërhyrje mund të bëhet një pikë referimi e vogël, por e rëndësishme në hartë e agro-turizmit. Ne do garantojmë, në një fazë tjetër pas rindërtimit, që të arrijmë t’i fshijmë nga faqja e Shqipërisë të gjitha banesat e mjerimit. Ne kemi nxjerrë nga kushtet mizerabël shumë familje, por ky do jetë një proces, që do të vijojë.

E fundit, dua ta përsëris se tre organizatat që janë këtu kanë dhe një rol tjetër shumë të rëndësishëm, si komunikimi me njerëzit, por edhe garantimi i një drejtësie në këtë proces. Organizatat do të kenë një ndihmë të madhe, nëse do të angazhonin disa njerëz më shumë në këtë proces. Në rolin e Sekretarit të Komitetit, Hoxholli, duhet të ndihmojë organizatat dhe të gjithëve, që procesi të shkojë mirë dhe të mos humbasim kohë. Në mes të janarit të kenë filluar thirrjet për oferta. Do të koordinohemi, për të pasur oferta me çmime të arsyeshme, për të pasur cilësi dhe sasi, dhe për të mos rënë pre e abuzimeve. Njerëzit janë të lirë të jenë dhe ‘peshkaqenë” në momente të caktuara, por nëse kjo ndodhi me qiratë, ku pronarët rritën çmimet, kjo nuk duhet të ndodhë me procesin tjetër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb