Kryeministri i vendit Edi Rama, duke folur në eventin “Safe stay in Albania”, deklaroi se Shqipëria është në Champions League-n e turizmit. Rama theksoi se Shqipëria ka përfituar vitin e kaluar 4.2 miliardë euro, duke shtuar se paratë kanë shkuar tek familjet shqiptare. Po ashtu, Rama nënvizoi se djemtë e vajzat shqiptare që punojnë në turizëm kanë më pak taksa se të rinjtë në Greqi, ndërsa i ftoi ata që të punojnë në industrinë vendase të turizmit.

“Ne kemi përfituar nga turizmi vitin e kaluar 4.2 miliardë euro. Këto para kanë shkuar tek familjet shqiptare. Është rritur numri i familjeve në qytete bregdetare, që japin me qira apartamentet e tyre. Shumë turistë iu drejtohen shtëpive. Kjo është një para që nuk është prekur asnjë cent e shkon tek familjet. Nuk është ky momenti që familjet të cenohen me taksa.

Këto janë të ardhura të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Djemtë dhe vajzat në Shqipëri kanë taksa më të ulëta sesa në Greqi. Kemi hyrë në Champions League e konkurrencës në turizëm dhe ky është sa një moment historik, aq edhe sfidash të gjithanshme. Ne kemi hyrë në Champions, por duhet të mbetemi në Champions, Italia, Greqia, Franca, Spanja, Kroacia, Sllovenia nuk bien nga Champions, nuk shkojnë në kupën UEFA. Ne duhet ta konsolidojmë pozicionin tonë dhe të jemi gjithmonë e më konkurrues. Ne nuk e kemi të konsoliduar kupën tonë, duhet ta konsolidojmë, por të jemi çdo vit e më konkurrues. Të gjithë të rejat e të rinjtë që janë jashtë dhe punojnë në sektorin e turizmi, ose ikin jashtë për të punuar në sektorin e turizmit “çfarë kërkoni atje? Pse rrini atje?” Sot të gjitha hotelet kanë vende të lira dhe nevojë të madhe për punonjës të kualifikuar dhe ju që jeni punonjës të kualifikuar, pse e lini këtë boshllëk.

Sikundër them të tjerëve që historinë e pagave e dëgjojnë nga muhabetet, ta provojnë të shkojnë të trokasin tek dyert e hoteleve të infrastrukturës turistike dhe të shohin që ka për ta mundësi punësimi. Por mundësia e punësimit në turizëm sot nuk është asgjë, me mundësinë e punësimit nesër e pasnesër duke marrë parasysh se sa investime janë në procese miratimi nga kërkesat e sipërmarrjes private, në Tiranë, vijën bregdetare, edhe më gjerë kur vjen puna për agro-turizimin apo hoteleri të nivelit të lartë.

Të gjitha ato investime kanë nevojë për njerëz të kualifikuar, vitet në vijim do të tregojnë se Shqipëria falë kësaj fuqie që po merr nga turizmi do të ketë kapacitetin të paguajë në industrinë e turizmit punonjës të kualifikuar pa asnjë ndryshim nga vendet e rajonit. Do të ketë pagat më të mira në rajon për punonjësit e kualifikuar në turizëm sepse do të ketë mundësi ta bëjë, do të ketë të ardhura shumë herë më të mëdha që ka sot”, deklaroi Rama.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: