Gazetarja Dorjana Bezat raporton për BalkanWeb se Jak Prenga u rrëmbye me një Benz të bardhë tip fuoristradë me targa AA 433 Ik rreth dy javë më parë afër banesës së tij.

Ajo bën me dije se Policia është në kërkim të këtij mjeti i cili mund të jetë një provë e fortë për hetimet.

Gjithashtu ajo shton se kontrollet për personat në kërkim për këtë ngjarje janë shtrirë në Shkodër, Kavajë, dhe Shijak. Nga kontrollet e djeshme në Shijak u sekuestruan kamerat e sigurisë për të parë nëse ka qenë Jak Prenga si dhe u sekuestruan disa armë zjarri.

”Kontrollet e Policisë u bënë në një kompleksi turistik, në tre banesa dhe disa biznese. U gjetën disa armë zjarri. Më tej kontrollet janë shtrirë në Shijak, Shkodër dhe në Kavajë për personat në kërkim ose që janë të dyshuar si të përfshirë.  Janë marrë dhe kamerat e sigurisë për të parë nëse pengu i marrë ka qenë në këto objekte apo jo. Policia ende nuk ka asnjë gjurmë për Prengë Jakun. Dyshohet se rrëmbimi i Jak Prengës është presion ndaj të vëllait i cili është i dënuar në Angli por që ka lidhje me grupin kriminal të Shijakut. Grupit kriminal të Shijakut nuk i ka dorëzuar një sasi kokaine. Në shenjë presioni ky grup dyshohet se po i bën presion.

Ndërkohë Jak Prenga është rrëmbyer nga autorët me një Benz ngjyrë të bardhë me targa AA 433 IK tip fuoristradë. Po ashtu nga grupi hetimor më bëjnë me dije se është aktivizuar një grup kriminal që grabit automjete luksoze, i mban në garazhe dhe më pas ja shet personave kriminalë që i përdorin më pas për vrasje apo vjedhje.”- tha Dorjana Bezat.

RENEA dje zhvilloi një operacion për gjetjen e Jak Prengës në Shijak duke mundur të arrestojë dy persona dhe të shpallë në kërkim disa të tjerë, por ende asnjë gjurmë as nga makina e pengmarrësve dhe nga autorët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb