Turqia festoi këtë të enjte 92-vjetorin e shpalljes së Republikës me një sërë aktivitetesh si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Një prej këtyre ceremonive u organizua edhe nga ambasada e Republikës së Turqisë në Shqipëri. Në këtë ceremoni merrnin pjesë zyrtarë të lartë nga Shqipëria, qytetarë turq që jetojnë në vendin tonë si dhe diplomatë të vendeve të akredituara në Shqipëri. Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, Hidajet Bajraktar duke përshëndetur të pranishmit bëri një rezyme të zhvillimeve më të rëndësishme që pas shpalljes së Republikës së Turqisë duke u ndalur edhe te marrëdhëniet e shkëlqyera mes Ankarasë dhe Tiranës.

Në fjalën e tij, ambasadori vuri në dukje se Turqia, si anëtare e G-20-ës, ka marrë kryesinë e radhës me moton “Aksion i përbashkët për një rritje gjithëpërfshirëse dhe të shëndoshë”. Më pas, ambasadori Bayraktar lexoi mesazhin e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Në mesazhin e Erdogan thuhet: “Historia 92-vjeçare e Republikës sonë është një periudhë që tregon se si edhe në kushtet më të vështira është ringritur në këmbë kombi ynë, që na jep shpresa për të ardhmen tonë dhe që prej saj duhet të nxjerrim mësime në çdo hap që hedhim”.

(m.k/News24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb