Komisariati dixhital, i krijuar si një mënyrë që qytetarët të denoncojnë shkelje të ndryshme, po bëhet edhe një pengesë për bizneset, të cilat penalizohen vetëm nga një foto e postuar në këtë aplikacion. Kjo gjë i ka ndodhur edhe firmës për përmirësim dhe shfrytëzim pyjesh në rrethin e Elbasanit dhe Tiranës.
Pronari i saj, Shaqir Alcani, tregon se megjithëse ka 23 vite që punon në këtë fushë dhe është i pajisur me të gjitha dokumentet, prej tre muajsh bllokohet vazhdimisht nga policia, pasi qytetarë të ndryshëm, pasi shohin kamionët me lëndë drusore duke zbritur nga mali i Dajtit, postojnë fotografi në komisariatin dixhital, duke pretenduar se kjo lëndë drusore është prerë në parkun e Dajtit, gjë që nuk është e vërtetë.
Pronari i firmës tregon se, sipas bazës ligjore, ai lajmëron komisariatin 4 dhe policinë pyjore sa herë që një kamion i ngarkuar me lëndë drusore lëviz në këtë aks rrugor, megjithatë, kamionët vijojnë të bllokohen.
“Më bllokohen gati 6 kamionë në javë, të cilët janë të ngarkuar me 40 metra kub drurë. Shoferët i shoqërojnë në komisariat për verifikim. Malli dhe mjeti janë të pajisur me të gjitha dokumentacionet, por verifikimet nuk kryen në momentin e ndalimit. Policët thonë se është e domosdoshme që shoferët të shoqërohen në komisariat. Duke qenë se ata udhëtojnë natën, duhet të presin deri në mëngjes që të kryhet verifikimi nga Pyjorja dhe të lihen të lirë. E gjithë procedura zgjat deri në 12 orë”, – tha ai.
Kamionët, duke qenë të tonazhit të rëndë, lihen aty ku kapen nga policia. E gjitha kjo procedurë tre muajt e fundit po ndodh mjaft shpesh, aq sa drejtuesit e mjeteve të kësaj firme shprehen se, më shumë kanë ndenjur në komisariat sesa në punë, dhe kjo i ka detyruar të kërkojnë dorëheqjen. Për pronarin e firmës kjo ndërhyrje e padrejtë e policisë është shumë e dëmshme.
“Po më dëmtojnë imazhin dhe po më pezullojnë punën. Nga gjithë kjo sorollatje mbeten rreth 40 punëtorë pa punë dhe unë nuk mund të përmbush planin për të cilin kam hartuar kontratën. Nëse kjo gjë ndodh, unë duhet ta riblej sipërfaqen pyjore për shfrytëzim, çka do të thotë falimentim për mua”, – tha ai.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
