Presidenti i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, tha se vendi i tij do të bëjë gjithçka për të mbështetur rrugën evropiane të Shqipërisë.

Në një konferencë për shtyp me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, ai tha se synimi i tij kryesor këtë vit është që të mbështesë dhe shoqërojë Shqipërinë drejt rrugës së anëtarësimit në BE.

Nga ana e tij, Ruçi e cilësoi Austrinë si një ndër zërat më të fuqishëm për integrimin e vendit tonë në BE.

Gramoz Ruçi: Vlerësimi i KE duhet të pasohet me vendim pozitiv për Shqipërinë. Austria është ndër zërat më të fuqishëm për integrimin e Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor. Gjatë takimit, vlerësova angazhimin e Kancelarit Kurz për realizimin e Samitit të marsit, ku do të diskutohet edhe për integrimin e vendit tonë. Nënshkruam edhe marrëveshjen për ngritjen e qendrës së demokracisë në Kuvendin e Shqipërisë. Falënderova Austrinë për rolin e rëndësishëm për Kosovën dhe e njoftova se Shqipëria mbështet fuqishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Wolfgang Sobotka: Kemi marrëdhënie të shkëlqyera me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që janë një nga pikat kryesore për punën e sivjetshme të këtij parlamenti. Marrëdhëniet tona bilaterale synojnë marrëdhëniet tona politike, ekonomike, por edhe për qytetarët. Është synimi im kryesor këtë vit që ta mbështes dhe shoqëroj Shqipërinë drejt rrugës së anëtarësimit në BE. Mbështesim shumë programet e bursave, që iu mundësojnë deputetëve shqiptarë për të ardhur në Parlamentin e Austrisë dhe për të parë punën aty, si dhe kemi nënshkruar marrëveshjen për zyrën e demokracisë. Demokracia nuk është një dhuratë që na është bërë nga prindërit, neve na është dashur shumë të luftojmë me të. Gjatë shekullit XX na është dashur të luftojmë shumë për të.

Shpresojmë që në mars KE të marrë një vendim pozitiv për të çelur së fundi negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. E përkrah shumë dialogun që u arrit në janar mes qeverisë dhe opozitës për të vazhduar punën për Reformën Zgjedhore. Austria nuk ka nevojë të bindet pse duhet të jeni pjesë e BE, ne jemi të bindur nga pikëpamja e stabilitetit ekonomik, pikëpamja strategjike, politike. Është një qëllim i deklaruar prej nesh për të mbështetur Shqipërinë për integrimin. Shqipëria është një partner i rëndësishëm strategjik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb