Dhjetë turistë të huaj që po shëtisnin në një qytet verior të Indisë duke shkelur rregullat e bllokimit për shkak të pandemisë së koronavirusit, u detyruan të kërkojnë falje 500 herë, tha sot policia indiane.
India shpalli një bllokim mbarëkombëtar 21-ditor që hyri në fuqi më 25 mars, ku njerëzit lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm për të blerë sende thelbësore dhe ilaçe.
Turistët ishin nga SHBA, Australia, Meksika dhe Izraeli dhe u kapën duke shëtitur në brigjet e lumit Gang, gjatë fundjavës.
Në pamjet e transmetuara në disa televizione, oficeri i policisë, Vinod Kumar Sharma shihet duke dhënë dënimin e pazakontë për turistët.
“Secili prej tyre shkroi shprehjen ‘unë nuk kam respektuar rregullat e bllokimit dhe për këtë kërkoj falje 500 herë”, tha zyrtari i policisë lokale.
“Ata janë mysafirë të vendit tonë, por vazhdimisht i shkelin rregullat”, tha ai duke shtuar se kishte rreth 600 turistë në Rishikesh, një qytet i njohur për tërheqjet e tij shpirtërore dhe yoga-n.
Policia indiane i është drejtuar mënyrave të pazakonta për t’u marrë me ata që shkelin rregullat e bllokimit, përfshirë frikësimin e shkelësve duke veshur helmeta në formë koronavirusi.
India, që do ta zgjasë bllokimin deri më 30 prill, ka gjithsej 9 152 raste me koronavirus, përfshirë 308 vdekje.