Shumica konservatore në Parlamentin grek votoi sot një ligj mbi politikën mjedisore, i kritikuar nga OJQ-të, sepse lehtëson kërkimin e hidrokarbureve në zonat e mbrojtura.
“Projektligji u votua me 158 vota të deputetëve konservatorë të Demokracisë së Re në fuqi, nga 216 të pranishëm”, njoftoi kryetari i Parlamentit.
Dhjetëra organizata mjedisore, përfshirë Greenpeace dhe WWF, manifestuan dje jashtë Parlamentit në Athinë, duke kërkuar tërheqjen e kësaj reforme e cila promovon kërkimin e naftës dhe rrezikon zonat “Natura 2000”, të mbrojtura për biodiversitetin e tyre nga legjislacioni europian.
Athina ka nënshkruar vitet e fundit kontratat për transferimin e të drejtave të eksplorimit dhe shfrytëzimit të hidrokarbureve në brigjet e Kretës (jug) dhe në detin Jon (perëndim) me gjigantët “ExxonMobil”, “Total” dhe “Edison”, të kundështuara nga lëvizjet lokale.