Asetet e krimit të organizuar, kthehen në qendra sociale, për t’iu shërbyer grave e vajzave të dhunuara, apo trafikuara, në menyrë qe ato të riintegrohen përsëri në shoqëri. Por nuk janë vetëm vajzat dhe gratë pjesëmarrëse në këtë projekt të shtrirë ne tre qytete të Shqiperisë, në Durrës, Fier dhe Sarandë, por janë edhe të rinjtë të cilët kanë kryer kundërvajtje penale. Por për Ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca, ky projekt nuk është vetëm një projekt me orinetim moral, por një projekt me orientim ekonomik.

”Ky nuk është vetëm një projekt me orientim moral, është gjithashtu një projekt me orientim ekonomik, ideja është t’u jepet ndihmë individëve që nuk kanë pasur mundësi më parë. Sigurisht që ka një ndikim të dyfishtë, jo vetëm ekonomik siç thashë, por edhe që t’i japë idenë se ligjshmëria është rikthyer aty ku nuk kishte ligjshmëri për shkak të krimit të organizuar. Pra, jo vetëm konfiskim i pasurive, por kthimi i tyre në një instrument të ligjshëm që ka përfitime ekonomike. ”- tha Soreca.

Luigi Soreca dënoi fenomenin e dhunës ndaj grave dhe shfrytëzimin seksual të tyre, e kërkoi që kjo plagë e shoqërisë shqiptare të luftohet seriozisht. Sipas tij të gjitha historitë e shfrytëzimit seksual nisin nga një marrëdhënie familjare, e më pas vajzat përfundojne në Itali, ku forcohen të prostituojnë.

”Sigurisht që ky projekt nuk mund ta luftojë i vetëm këtë fenomen të tmerrshëm, por ai rrit ndërgjegjësimin rreth tij dhe së bashku me projekte të tjera dhe nisma që kemi me autoritetet shqiptare ne duam ta bëjmë të qartë se dhuna në familje duhet të luftohet seriozisht, nuk duhet të ndodhë në Shqipëri, dhe duhet ndaluar në mënyrë absolute.
Më ka prekur veçanërisht një histori. Është historia e një vajze që u detyrua të bëhej prostitutë dhe pas disa aktesh dhune u detyrua të dilte në rrugë. Por natën e parë që doli të prostituonte, takoi një agjent policie të infiltruar që ishte klienti i saj i parë potencial. Ky ishte një moment fati për të, sepse ky polic i mundësoi asaj të dilte nga kjo situatë dhe gjithashtu e u ndoqën penalisht njerëzit që e shfrytëzonin atë. Vajza është kthyer tani dhe është pjesë e kësaj nisme. Këto janë histori shumë të trishta që ne nuk duam t’i dëgjojmë, por që ekzistojnë dhe duhet të përballemi me to. Ky projekt i ka ndihmuar këto vajza të rimëkëmben nga këto përvoja traumatike. ”- shtoi ambasadori.

Në lidhje me punën e bërë deri më tani nga OFL, Soreca u shpreh se është bërë një punë e mirë, por nga ana tjetër ai do të vazhdojë të monitorojë të gjithë vazhdimesinë e sekuestrimin nga kjo strukturë, të tyre që besohet se janë pasuri të paligjshme, ku kërkon gjithashtu të respektohet e drejta e personave që perfshihen ne konfiskim.

”Mund t’ju them se në bazë te këtij ndryshimi, jam në dijeni se janë sekuestruar 243 asete kriminale nga OFL dhe janë dërguar për vlerësim në SPAK dhe SPAK ka aprovuar 102 prej këtyre pasurive. Tani jemi në fazën e hetimit dhe janë në vëmendjen e gjykatës së SPAK-ut, me qëllim që të nisë procesi i konfiskimit. Ne presim me padurim finalizimin e procesit, sepse nëse pasuritë do të konfiskohen përfundimisht do të vihen në dispozicion të vazhdimësisë së projektit që ka nisur. Unë do të vazhdoj ta ndjek këtë me besimin se sigurisht të drejtat e njerëzve të përfshirë në sekuestrim të respektohen plotësisht nga autoritetet e përfshira në sekuestrim dhe konfiskim.

Ambasadori i BE ne Tirane këkon që konfiskimi i aseteve të krimit dhe kthimi i tyre në qendra komunitare të kthehet në një program kombëtar nga qeveria.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb