Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se në kampion opozitar kishte reagime të ndryshme.

Nazarko tha se LSI reagoi në mënyrë më agresive, ndërsa PD në këtë fushatë po merret më tepër me çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me jetën e qytetarëve.

“Tashmë fushata elektorale ka nisur dhe miratimi i Kodit Zgjedhor u realizua në këtë periudhë. Opozita reagoi ndryshe për miratimin e Kodit Zgjedhor. Ndryshimet në Kod dis-avantazhojnë LSI-në e për rrjedhojë Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar në mënyrë agresive. SHBA shprehur zhgënjim për faktin se nuk u arrit kompromis për Zgjedhoren. Opozita parlamentare nuk vepron sipas një logjike përbashkuese, ata kanë vepruar në bazë të interesave të tyre personale.

Ka pasur një element përbashkues, që është vijimi i karrierës. Për shqiptarët e thjeshtë, ajo që ndodhi nuk ndikon në jetën e tyre të përditshme, prandaj nuk kishte reagim të fortë nga Basha. Lideri i PD-së Lulzim Basha kërkon që në këtë fushatë të merret me probleme reale të qytetarëve.  Mendoj se PD ka një qasje më të drejtë, mendon për gjëra që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve”, tha Nazarko.

Në lidhje me raportin e prezantuar nga ana e Komisionerit të BE-së Olivér Várhelyi për Shqipërinë, Nazarko u shpreh se duket se vlerësimi për Shqipërinë është pozitiv.

“Të dhënat e raportit ne i dimë. Raporti është rajonal. Ballkani do të integrohet bashkërisht dhe jo veç e veç. Duket se vlerësimi për Shqipërinë është pozitiv. Sa i përket përplasjeve, duken të ashpra. Kjo sepse kemi qeveri që pretendon mandat të tretë, që është e rrallë në Perëndim. PS duhet të shpikë veten me ofertë më të mirë”, deklaroi Nazarko.

Ndërsa, për zgjedhjet amerikane dhe ndikimin e tyre në fushatën shqiptare, Nazarko tha se Rama duket i favorizuar, në rast se në SHBA fitojnë demokratët.

“Për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, duhet t’i jemi mirënjohës SHBA-ve. Edi Rama ngjan i favorizuar edhe me ardhjen e mundshme të demokratëve në pushtet në SHBA, pasi njihen marrëdhëniet e tij me Soros. E majta ka raporte të mira përkundrejt fuqive të mëdha. Qytetarët shqiptarë vendosin në fund se kush do të qeverisë”, përfundoi Nazarko.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb