Ndryshe nga dy ditë më parë, protesta e sotme do të ketë pikënisjen e saj para Kryeministrisë. Qytetarët duket se nuk do të ndalen në lidhje me vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, i cili u qëllua për vdekje me armë nga një punonjës policie. Tubimi është paralajmëruar që të nisë në orën 18:00.

Pasi kërkuan dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, për të cilin e arritën qëllimin pasi hoqi dorë nga kjo detyrë, protestuesit kërkojnë largimin e kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliut. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se në terren ditën e sotme do të ketë më shumë forca policie, krahasuar me një ditë më parë. Konkretisht, për t’ju paraprirë çdo lloj situate, në terren do të jenë 900 punonjës policie.

Kujtojmë se dje për 4 orë qytetarë të shumtë u grumbulluan në pika të ndryshme të qendrës së Tiranës ku thyen xhama apo qëlluan institucionet kryesore në Bulevard, si dhe prishën disa sinjalistika rrugore apo reklama në rrugë. Po ashtu, ata në shenjë inati kundër qeverisë, bllokuan rrugët dhe iu vunë flakën disa kazanëve me mbeturina.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb