TIRANË

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim në njësinë bashkiake nr.8 në Tiranë. Në takimin ku ishte i pranishëm edhe profesor Petrit Bare, Kryemadhi komentoi edhe ligjin për arsimin e lartë, ndërsa u shpreh se atë nuk do e shkruajë as Monika Kryemadhi, as Basha por universitetet.

“Për ligjin e Arsimit të Lartë faktikisht ne si LSI, edhe Floida, Kejdi edhe Klevi, që janë angazhuar jashtëzakonisht shumë, apo edhe profesor Shezo edhe Nora Malaj që kanë qenë pjesë e Komisionit, ne jo vetëm suportojmë ligjin, se suportojmë grupet e interesit. Ligjin e Arsimit të Lartë nuk e shkruan as Monika Kryemadhi, nuk e shkruan as Lulzim Basha, asnjë parti politike. Ligjin e Arsimit të Lartë do ta shkruajmë universitetet publike. Bashkë me universitetet private, ku lokomotivë është universiteti publik dhe grupet e studentëve të cilët janë pjesë e kësaj.

Për Monikën, për LSI-në, apo për gjithë këta të rinj, ligji i Arsimit të Lartë ka rëndësi nëse diplomat e universiteteve tona janë konkurruese në Europë dhe në tregun e punës. Dhe përveç kësaj që me këtë rini energjike, entuziaste ne të mund të prodhojmë standarde të studentëve tanë, që e kanë treguar kudo sepse kanë qenë elita të universiteteve të tjera. Nëse politika do vazhdojë të fusë hundët, dhe të men dojë se mund të bëjmë politikë atëherë bëjmë gabimin më të madh. Universitetet jo vetëm kanë autonomi financiare, por janë ta pavarura politikisht dhe nuk duhet të kenë ndikim politik.” theksoi Kryemadhi.

Ndër të tjera Kryemadhi komentoi situatën e krijuar në vend si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike, ku akuzoi kryeministrin se ka dalë xhiro për të kërkuar azil, ndërsa Shqipëria po përmbytet.

“Tani aktualisht që ne flasim, e gjithë Shqipëria po përmbytet nga shirat, ku e kemi kryeministrin? Kryeministri ka dalë xhiro, po kërkon azil politik për veten e tij. në vend që të jetë në krye të detyrës, në vend që të vërë institucionet për të ndihmuar ato familje dhe biznese që përmbyten. Pra Shqipëria është e përmbytur e gjitha. Pandemia në një anë, që ka shkatërruar, nga ana tjetër shkatërrimi i ekonomisë që vjen nëpërmjet përmbytjeve, në një anë tjetër kemi nj izolim total të Shqipërisë. Varfëria çdo ditë e më shumë ndikon dhe bëhet prezente në tryezat e shqiptarëve.” tha Kryemadhi.

“Në mëngjes isha në Don Bosko, pata disa takime. Tani jemi këtu në njësinë 8 në rrugën e Dibrës. Ajo që mendoj unë është përfshirja e angazhimi me shumë faktorë, e sidomos me atë shtresë të qytetarisë së Tiranës që nuk është e zhgënjyer se pse nuk është punësuar nga Bashkia e Tiranës, sepse kemi një dyndje për të punësuar me kontrata 2-3 mujore, por është e zhgënjyer për shkak të mungesës së mundësive, taksave të larta.

Në këtë vend ku jemi ne këtu, zotëria për shkak se nuk ka paguar 5 mijë lekë energji para 20 vitesh e ka penalizuar për ti dhënë pagën e solidaritetit për punonjësit, sepse për qiranë e dyqanit harroje. Pra, diskriminimi ose mënyra që përdoret politikisht në momente të caktuara të ndihmës duhet të mbarojnë përfundimisht në Shqipëri. Administrata, shteti është i shqiptarëve që e votojnë. Nëse shteti kthehet në funksion të një partie, varfëria do të mbretërojë dhe do të jetë në formën e një pandemie.

Varfëria në Shqipëri është kthyer si koronavirusi. Njerëzit në një anë vuajnë nga varfëria dhe në anën tjetër kanë frikën e pandemisë.”- vijoi Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb