TIRANE- Gjykata e Apelit ka vendosur sot të shpallë të pafajshëm ish- Guverantorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani për akuzën e shpërdorimit të detyrës, në lidhje me skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga thesari i Shtetit.

Ishte Prokuroria ajo që depozitoi në gjykatë rekursin për ish-Guvernatorin Ardian Fullani, ku kërkoi prishjen e vendimit të Gjykatës së Tiranës e cila e shpalli të pafajshëm ish-guvernatorin për akuzën e ngritur për shpërdorim detyre për supervjedhjen në BSH.

Prokuroria kërkoi që Fullani të dënohej me 5 vite burg, por gjykata e Apelit e ka rrëzuar këtë pretendim duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.

Fullani akuzohej për shpërdorim detyre ne dy raste. Palët shpallin konkluzionet për dosjen nën shqyrtim, në të cilën Fullani akuzohet për dy episode. Në të parin, Fullani shikohet si shpërdorues i detyrës përsa kohë shikohet i dyshimtë në mosrespektimin e rregullave dhe udhëzimeve të Këshillit Mbikqyrës, nga moszbatimi i të cilave u shkaktua vjedhja e degës së Thesarit prej 713 milionë lekësh.

Për këtë ngjarje u akuzuan 18 persona, ish-punonjës të Bankës së Shqipërisë, të cilët kërkuan gjykim të shkurtuar përveç kryeinspektores së bankës Elivar Golemi, procesi ndaj të cilës vazhdon ende.
Në episodin tjetër, sërish mbi Fullanin rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës për hotel “Dajtin”, për të cilin Këshilli i Ministrave ka vendosur shitjen e tij përpara se banka të hapte procedurat e blerjes. Për të dyja rastet, Fullani mori pafajsi.

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: