DURRËS – OSBE-ja i tërheq vëmendjen Qeverisë shqiptare për mbeturinat dhe mbetjet e tjera të të gjitha llojeve, që nuk po derdhen në vendin e duhur; pjesa më e madhe e tyre përfundojnë në det duke ndotur ajrin dhe ujin, që janë të mira publike.

Kreu i OSBE-së, Robert Wilton dhe deputetët e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese kanë diskutuar sot për menaxhimin e mbetjeve në një tryezë të mbledhur në Durrës. Wilton tha në këtë takim se “sot duam që të fokusohemi në një nga sfidat më të mëdha mjedisore – menaxhimi i mbetjeve.

Sipas Raportit për Situatën Mjedisore 2013, publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Shqipëria prodhon çdo vit më shumë se 1.1 milion ton mbetje urbane dhe 332,000 ton mbetje ndërtimore/inerte. Ky është një volum jashtëzakonisht i madh. Për më keq, jo të gjitha mbetjet shkojnë në vendet e depozitimit. Një pjesë e madhe mbetjesh – plastike, urbane, ndërtimore, madje edhe spitalore – hidhen në mënyrë të paligjshme në lumenj, duke përfunduar në det.

Në Shqipëri është miratuar një legjislacion i mirë për mjedisin, por zbatimi i tij është i ngadaltë. Për të përmirësuar zbatimin e tij dhe për të mbrojtur më mirë mjedisin tonë, duhen marrë masa në shumë fusha. Deputetët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që qytetarët e vendeve të tyre të qeverisen drejtë, që të drejtat e tyre të mbrohen dhe që qeveria e strukturat e tjera shtetërore të monitorohen në mënyrën e duhur. Ajri dhe uji i pastër janë të mira publike; çështje që ndikojnë të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë apo se cilën parti politike mund të mbështesin,”- deklaroi Wilton.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: