Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj sjell sërish sipas mënyrës së tij të satirës, atë që ndodhi seancën e djeshme të Parlamentit.

“Kronikë dhimbjeje për gishtin e Jorushit dhe të tjera ndodhi”, e ka titulluar Gjekmarkaj analizën e tij satirizuese.

Deputeti demokrat ka “zbuluar” pse kolegia e tij, Jorida Tabaku mungoi në seancë, shpjegimet që i dha Gazment Bardhi, ngushëllimet e Salianjit, enigmat që vërtiten në kokën e Flamur Nokës e deri te “heroizmi” i Elisa Spiropalit në mungesë të kryeministrit Edi Rama (Skënderbeu ose “Babo” siç e quan Gjekmarkaj).

E plotë/ Nga Agron Gjekmarkaj

Seanca në Kuvend për mua filloi me një lajm të trishtë. Atë ma përcolli Lideri në perspektivë Gazi pa ju dridhur qerpiku as zëri, me qetësinë e atij që të thotë shëndet pasi je kollitur.

Ne u ulem, madje edhe vetë Muçua hundë e buzë u rehatua me një tis perzhitje në ballë. Minutat si shekuj hijerënde kalonin po Jorushi i Tabakëve nuk po vinte. Madje edhe vetë shefe Albana me Mondin shfaqnin një të hollë shqetësim të dënjë për shpirtin e tyre delikat.

Tritani i sapo bërë 75 vjeç si djalosh i gatshëm për sakrifica pyeste mos ka ndodhur ndonjë gjëmë apo vaki, ndonjë hata apo pusi që ajo nuk vjen e kandilit të opozitarizmës vaji i mungon? Kur padurimi po bëhej ligj dhe interesimi detyrë me zë gazmor Lideri në perspektivë tha “po ç’kini xhanëm, ka thyer gishtin, e ka bërë copë-copë, do ta bëjë operacion, mund t’ja shkurtojnë pak e asgjë më shumë” dhe buzeqeshi.

Desh më ra zali kur Sajme Koreshi hukama shend e verë lëshonte, “gishtin ka thyer jo kokën”.

Në këtë hallakatje lirike më gjet Salianji. Pikërisht ai që njohim, që nuk zhgënjen kurrë, pa të keq mbushur me dlirësi më ngushëlloi kur më pa aq të rënë moralisht, “po merr shembull mor i uruar tha, e ka thyer duke bërë opozitë, duke hedhur bumje retorike mbi bashkinë e Lal Erit dhe qeverinë e Babos”!

Njëra syresh i ka plasur në dorë, ky është akt heroizmi, këngë trimërie duhen e jo qarje dhe tani ndiz një cigare e mblidh veten se më këpute shpirtin more viran. Po ta thejnë atë zemër flori motrani e shoqeni të Parlamentit”.

Pasi bëri këtë të mirë, rrotulloi sytë mbi sallë por gjithçka ju duk në rregull e s’kishte ku vë më dorë paqëtimi, ndaj iku i përmbushur.

Kryezëvendës Lideri Muli prej ditësh mbart një brengë epike. I dashur por i heshtur, i vëmendshëm por i matur enigma i ri mbi kokë si kurorë. Si një Hyqymet që kujdeset për të gjithë e gjithmonë, herë pas here merr mbi vete shikimet plot dashamirësi e mbështetje të Oerdit. Erdhi si Muji në Lugje të Verdha ku lëshoi ortekë e gurë kundër tiranisë së Elisa Spiropalit në mungesë të Skënderbeut të fshehur maleve pasi Gaz Bardhi i ka zënë rrugën me dy kalorësit e tij besnikë Marash Logu e Everest Dedaj.

Antoneta Dhima foli, dashurinë e saj për ndërtimin e socializmit e shprehu me gjuhën e thjeshtë të popullit punonjës, toptan pa teprira.

Dilua, këmisha e të cilit ngjyrë ulliri me qendisma thurur me pe të zi të linte pa mend duke sfiduar haptaz pantallonat me shirita bardh e kaf si gjeneralët e Amerikës Latine të Ermos shfaqi xhelozi.

Çyrbja pothuaj tashmë i squllur si poet province pas fjalimit filozofiko përkufizues të Aurorës kishte rënë në të thella dhe herë pas here ia ngjeshte rradakes me gjuajtje si pikëçuditëse.

Nuk mungoi as llafi i Etildës, plot rënkime me një oh.. në fund të çdo fjalie ndaj të paudhëve, plot habira të tipit si kështu…drejtuar të ndërdyzurve, me mallkime për të pabindurit …harami ju mbuloftë… por në fund si dielli që ngrihet në agim shfaqej besimi se Babua trim për të gjithë do jetë vegim duke lëshuar një ah….!

Të ndodhte ndryshe nuk kish sesi, u desh të zhdukeshin përbindëshat që te kjo botë të vije ti Babo ishte kumti i Mamicës që i kishte lidhur metaforat si romët kur bëjnë dasëm kutitë e teneqes pas makinës së çiftit, zhurmë e të cilave ajrin çante me rropamë.

Tao ngjante me Tursun pashanë, ndonëse i mungonte një çallmë, si një bablok jepte e merrte nga atje lart, i rënë në mendime tek sheh se zjarri i ka përvëluar kudo shtëpinë.

Ulsiu kishte dhimbje veshi me ç’ka dëgjuar lart e poshtë, hatara, hatara. Bela prej kohësh duket si një murgeshë që elaboron çështjet e virtytit e doktrinës teksa vesi ka pushtuar qeverinë.

Madje edhe vetë Tezja kishte një aurë të përshpirtshme. Ogi dukej si priftëresha e Delfit dhe ju lexonte dorën. Sapo, Niko qau me denesje…duke thërritur jo, jo s’kam bërë gjë! Pirdeni i dha një gdhënjkë me ujë. Olta Xhaçka ka marrë një gjyrë të përhime dhe është murosur.
Mazniku është bër def prej muajsh. Evlati! Gonxhe çeli për herë të parë dhe vetë u gëzua që nuk kishte harruar të fliste se vetëm ka firmosur gjithë jetën. Sa herë e shoh atje lart më vjen t’i gërmushëm “mos bëfsh hajër mos bëfsh që vendin e Margaritit zure duke na pikëlluar shikimin more zullap”!

Sapo Ermua mbretëresha e sherrit dhe zallamahisë u ngjit atje sipër filloi potere e sherr që aman falë i kjoshim Zotit. Gaxhije, gjobaxhije hungëronte Lideri në perspektive Gazi. Ajo “I pa edukatë të degdis në mal të Thatë”.

Damua në kafenë tregonte muskujt, prek pak prek i thoshte Braçes! Ai plot adhurim tha uaaa mi uaaa mi…. gur, gur! Klosi dhe Mimia heshtën gjatë të velur nga e zakonshmja por ënde jo nga jeta. Kur dëgjuan fjalimin e Petros njëzëri thanë jeta nuk është një shaka. Laerti pasi nuk qan më askush kërkon pika loti si lemoshë për magazen e tij. Etjeni i ra në sy kronikës vetëm për intensitetin e kruarjes së mjekrrës. Ina pasi mori komplimentin e Elisës për cilësi fjale mu hakërrye, “dhe ti mëso të shkruash”!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: