Agjencia Europiane e Barnave (EMA) njoftoi sot se u ka kërkuar të gjithë prodhuesve të vaksinave antiCOVID-19 të vlerësojnë nëse produkti i tyre është efikas kundër mutacioneve të reja të koronavirusit, me qëllim botimin e udhëzimeve të reja për to.
“Agjencia po zhvillon udhëzime për prodhuesit që ofrojnë ndryshime në vaksinat ekzistuese Covid-19, për të luftuar variantet e reja të virusit”, tha EMA.
“EMA u ka kërkuar të gjithë zhvilluesve të vaksinave që të studiojnë nëse vaksina e tyre mund të ofrojë mbrojtje ndaj varianteve të reja”, shtoi ajo.
EMA argumentoi se ekziston frika që disa prej këtyre mutacioneve mund të ndikojnë, në shkallë të ndryshme, në aftësinë e vaksinave për të mbrojtur kundër infeksionit dhe sëmundjes.
Megjithatë, ajo theksoi se një zvogëlim i mbrojtjes kundër formave të lehta të sëmundjes jo domosdoshmërisht nënkupton një ulje të mbrojtjes kundër formave të rënda.//ATSH