KOSOVA
Orari zyrtar i votimit në Kosovë ka përfunduar dhe qytetarët tashmë presin nisjen e procesit të numërimit.
Në një përditësim të fundit të procesit, KQZ informoi se deri orën 19:00 kanë votuar 834 mijë qytetarë ose 46.9%, nga 1 milion e 794 mijë e 862 votues.
Sipas Exit Polleve të para, referuar edhe atij të Institutit të Prishtinës për Studime Politike, Lëvizja Vetëvendosje merr 41.8% të votave, ndjekur nga PDK 16.5%, LDK me 15.2%, AAK me 7.2%, Nisma me 2.6%. Ndërkaq pakicat marrin 16.7%.
Ndërkohë në orët e pasdites ka pasur një rritje të ndjeshme të votuesve, pasi në qendrat e votimit janë krijuar radhë të gjata votuesish të cilat vijojnë edhe pas përfundimit të orarit zyrtar.
Këto janë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku në garën zgjedhore janë 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Ndërkohë, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1 mijë e 52 kandidatë.
(BalkanWeb)
