Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka qenë në Bulqizë, ku u shpreh se LSI do të ketë parasysh statusin e minatorit.

Kryemadhi theksoi se statusi i minatorit do jetë në fokus të angazhimit të LSI-së, kur Lëvizja Socialiste për Integrim të jetë në pushtet. Ajo shtoi se qarku i Dibrës ka qenë dhe do jetë në fokus të LSI-së.

Fjala e plotë e kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi:

Ne jemi sot këtu në kuadrin e të gjithë prezantimeve që kemi bërë bashkë me doktor Hajriun. Kemi filluar që në mëngjes herët, ku kemi ardhur në qytetin e Bulqizës, ku do të prezantojmë doktor Blendin dhe Borën. Me doktor Blendin njihemi prej kohësh dhe është Kryetari i LSI-së për qytetin. Është një nga njerëzit më të dashur të qytetit, që u gjendet prezent gjithmonë qytetarëve, edhe në këto kushte pandemie. Unë të falenderoj shumë që je pjesë e kësaj situate kaq të vështirë për qytetarët, ju prapë do t’i përkushtoheni. Apo edhe Borën, që e kemi të sapo diplomuar me masterin në Drejtësi dhe që ka marrë së fundmi licencën e avokatisë.

Sigurisht që emocionet në të gjithë qarkun e Dibrës janë prezente. Ndihem mirë dhe e sigurt, por edhe e motivuar. Një nga pikat tona kryesore që kemi për gjithë angazhimin tonë, përveç programit me 5 prioritetet tona që kemi në 5 muajt e parë të qeverisjes, është edhe statusi i minatorit , për të cilin ne jemi ngritur gjithmonë. Edhe deputeti i zonës Përparim Spahiu, i cili është këtu me ne, por për arsye të rregullave të pandemisë nuk është prezent në këtë tryezë. Propozimi që ne patëm dhe e propozuam në Parlament, edhe pse e patëm propozuar që në mandatin e parë të Përparim Spahiut, asnjëherë mazhoranca e asaj kohe, PS-ja nuk e mori parasysh. Dhe ne e ribëmë si një iniciativë personale të zotit Spahiu për ta pasur në Parlament, por që u rrëzua nga PS-ja.

Ne gjithmonë e kemi parë statusin e minatorit dhe Spahiu e ka pasur gjithmonë një nga pikat dhe sfidat e veta, duke qenë edhe djalë minatori, rritur në qytetin e Bulqizës. Ndoshta e ka ndjerë më shumë dhe është përsëri një nga pikat kryesore për ta vazhduar edhe në të ardhmen e për ta çuar deri në fund atë meritë dhe atë kontribut të minatorëve, jo vetëm në qytetin e Bulqizës, por në të gjithë Shqipërinë, në Përrenjas, Selenicë apo në shumë vende të tjera, të cilët kanë kontribuar, i kanë dhënë këtij vendi, por asnjëherë nuk e kanë marrë shpërblimin mbrapsht.

Një nga pikat tona kryesore është lufta kundër shpopullimit, që ka të bëjë drejtpërdrejtë me largimin e  të rinjve, gjë që ne duhet ta ndalojmë. Këtë vit Shqipëria ka vdekshmëri më të lartë sesa lindshmëri. Po rrudhen familjet shqiptare, të rinjtë dhe të rejat po na largohen. Mundësia për të parë një vend që rritet e lulëzon është shumë e vogël me një qeverisje të inkriminuar, kaq të kapur, kaq problematike, që i shikon njerëzit si insekte dhe jo si qenie ku pushteti ka buruar prej votës së tyre.

Ne sot jemi në kuadrin e prezantimit të kandidatëve në të gjithë qarkun e  Dibrës. Edhe pse një qark të cilit në mënyrë të padrejtë ja kanë hequr mandatin, por jam e bindur që dibranët do ta rrëzojnë dhe dërrmojnë me votën e tyre në 25 prill. Edhe në Tiranë, sepse edhe atje ka shumë dibranë. Edhe pse ja hoqën me frikën se do t’ia merrte opozita mandatin në qarkun e Dibrës, përsëri këtë mandat atje do ta kenë të pamundur, se do të jetë mandat që do e marri opozita. Unë ju falenderoj shumë.

Ne kemi nevojë për energjinë tënde Bora. Si puna jote ka shumë djem dhe vajza të cilët janë të përfshirë në listat e LSI-së dhe sjellin një kontribut të jashtëzakonshëm. Sepse sjellin energji në radhë të parë, por mbi të gjitha janë ëndrrat dhe pasioni i tyre për të ndryshuar këtë realitet të hidhur. Ashtu siç je ti sot këtu në qarkun e Dibrës, është Ismeralda në qarkun e Korçës, janë një grup studentësh në Tiranë, në Durrës, në Elbasan. Pra është e vetmja mënyrë, që t’u krijojmë shanset dhe mundësitë të rinjve dhe të rejave për të ndryshuar këtë realitet të hidhur dhe për të krijuar të ardhmen e domosdoshme, që është e vetmja mënyrë për të mbajtur të rinjtë këtu. Përfshirja juaj në politikë, angazhimi juaj, jo vetëm nëpërmjet votës, por nëpërmjet hartimit të politikave dhe zbatimit të tyre.

Unë mendoj që përfshirja e të rinjve dhe të rejave është shumë e rëndèsishme, sidomos e grave dhe vajzave. Jo se dua të bëhem feministe në këtë drejtim, por është shumë e rëndësishme, sepse në fund të fundit angazhimi i gruas është një nga pikat kryesore, e cila rrit jo vetëm pjesëmarrjen në politikë dhe në vendimmarrje, por edhe civilizon, emancipon dhe e bën për të ecur me ritme më të shpejta.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: