Gjykata e Lartë ka pritur sot me ceremoni mirëseardhje 4 gjyqtarët anëtarë të rinj Sokol Binaj, Albana Boksi, Sandër Simoni dhe Klodian Kurushi.

Në ceremoni të ftuar ishin edhe Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Znj. Naureda Llagami, anëtarë të KLGJ, si edhe drejtueset e EURALIUS dhe Justice for All.

Nënkryetari i Gjykatës, Sokol Dadushi garantoi angazhimin e trupës për një drejtësi të shpejtë, cilësore e ligjore.

Nga ana tjetër kryetarja eKLGJ, Llagami ka bërë me dije se tashmë me emërimet e fundit rriten pritshmëritë për një drejtësi sa më cilësore dhe vendimmarrje sa më të shpejtë në mënyrë që të kalohen 38 mijë dosjet që presin për gjykim.

 

NJOFTIMI NGA GJYKATA E LARTË

Në Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë është zhvilluar të mërkurën ceremonia mirëseardhjes dhe fillimit të detyrës së katër anëtarëve më të rinj të trupës gjyqësore, gjyqtarëve Sokol Binaj, Albana Boksi, Sandër Simoni dhe Klodian Kurushi. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrnin pjesë edhe Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Znj. Naureda Llagami, anëtarë të KLGJ, si edhe drejtueset e EURALIUS dhe Justice for All.

Gjatë fjalës së mbajtur me rastin e kësaj ceremonie solemne, Zëvendëskryetari i kësaj gjykate Z. Sokol Sadushi u shpreh se, Gjykata e Lartë ndjehet e vlerësuar me ardhjen e katër kolegëve të rinj, të cilët kanë treguar gjatë karrierës së tyre profesionalizëm dhe integritet. Zgjedhja që ka bërë KLGJ me emërimin e anëtarëve më të rinj, është një zgjedhje e shkëlqyer, e cila urojmë të vijojë edhe me plotësimin e gjykatës me gjyqtarë të tjerë. Shtimi i radhës së gjyqtarëve profesionistë dhe me integritet sjell pa dyshim përmbushjen me sukses të asaj çfarë kërkon publiku në çdo kohë, besimin tek organet e drejtësisë, në mënyrë që qytetari të ketë mbrojtjen dhe sigurinë maksimale që i jep ligji. Z. Sadushi theksoi angazhimin e trupës së Gjykatës së Lartë në kuadër të garantimit të dhënies së një drejtësie të shpejtë, cilësore, kushtetuese dhe ligjore.

Nga ana e saj Kryetarja e KLGJ Znj. Naureda Llagami u shpreh se ardhja e gjyqtarëve të rinj dhe të kualifikuar në Gjykatën e Lartë, rrit pritshmëritë për një drejtësi sa më cilësore dhe vendimmarrje sa më të shpejtë, për të bërë të mundur evadimin e numrit të lartë të çështjeve që presin të gjykohen. Falë bashkëpunimit të ngushtë me Gjykatën e Lartë dhe organizmat ndërkombëtarë në ndihmë të gjyqësorit, janë hedhur disa hapa të rëndësishëm në kuadër të ndryshimeve ligjore për eficencën e gjykimit në këtë gjykatë, në shërbim të qytetarëve të cilët presin prej vitesh shqyrtimin e çështjeve të tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb