Sheshi “Nënë Tereza” në kryeqytet është “pushtuar” këtë të diel nga forca të shumta të armatosura.
Bëhet fjalë për stërvitjen shumëkombëshe të NATO-s e cila është duke u zhvilluar prej javësh në vendin tonë. Gazetarja Aurora Golemi, pasqyroi për “BalkanWeb”, të gjithë atmosferën e tanishme në shesh.
Ajo tha se hapësira e sheshit është mbushur me autoblinda, armatime të rënda dhe armë të sofistikuara, ndërsa nga ajri, ushtria amerikane po dhuron paradë teksa valëvit edhe flamurin shqiptar.
Sakaq, gazetarja u përpoq të merrte një prononcim nga ushtarët e pranishëm, të cilët, zbatuan në maksimum protokollin ushtarak dhe nuk dhanë asnjë deklaratë pa leje të eprorit.
Ndërkohë, për të plotësuar këtë atmosferë festive, banda frymore e Forcave të Armatosura Shqiptare, po performonin melodi patriotike të vendit tonë.
(BalkanWeb)