Zëvendës. Kryeministri Arben Ahmetaj, ishte i pranishëm në përurimin e ri të shkollës “Agron Hysenlliu”, në Pezë, që mban emrin e ish-drejtorit të Institutit të Ndërtimit, që ndërroi jetë disa muaj më parë nga COVID-19.
Gjatë fjalës së tij në këtë përurim, Ahmetaj tha se janë plot 280 mijë nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën që përfitojnë tekstet falas. Ai tha po ashtu se kanë në plan që në vitin e ardhshëm të fusin mësimet e informatikës që në klasat e para si dhe të hapin akademi të koduesve, pasi Shqipëria sipas tij ka kërkesa për 100 mijë të tillë.
“Janë 280 mijë fëmijë, nxënës, që marrin librat falas. E nisëm përpara disa vitesh me një grup fëmijësh, me një grup kategorish fëmijësh dhe sot janë 280 mijë, për fëmijët deri në klasë të nëntë. Dikush nga ne thotë po ça ka më? Ka shumë më shumë, në program kemi të fusim mësimin e informatikës për fëmijët që në klasë të parë. Të bësh dije dhuratë është fisnikëri. Përtej, nuk duhet të harroni që sivjet po fillojmë një program të madh të kodimit. Kemi bërë në këtë drejtim, por duhet të bëjmë më shumë.
Kjo fillon me disa shkolla, disa akademi, që do të bëjë të mundur që të dalin kodues, ne do të na duhen rreth 100 mijë kodues. Cinikët, mosbesuesit, diku me të drejtë diku pa të drejtë, sot shohin një shpirt të ringritur të një vendi të tërë”, u shpreh Ahmetaj.
(BalkanWeb)
