TIRANË
Policia e Tiranës ka nisur hetimet pas denoncimit të një qytetareje, bashkëshortja e një efektivi të Policisë Rrugore për “shkatërrim prone”. Ka qenë 41-vjeçarja R.Pica që ka denoncuar se porta e jashtme e banesës së saj ishte dëmtuar më 28 tetor, teksa kjo gjë sipas saj ka ndodhur dhe më parë. Ndërsa më herët u raportua se bashkëshorti i saj, Ilir Pica, efektiv i policisë rrugore në sektorin e Qarkullimit Rrugor në Mat ka denoncuar një kërcënim që i është bërë familjes së tij me datë 27 Tetor.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.3, referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, pasi shtetasja R. Pica, 41 vjeçe, ka kallëzuar se më datë 28.10.2021, persona të paidentifikuar, i kanë shkaktuar dëmtime, dyshohet me sende të forta në portën e jashtme të banesës së saj, me adresë në rrugën “Kastriotet”, Tiranë, ngjarje kjo sipas kallëzueses e përsëritur në kohë të ndryshme. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit/ve të ngjarjes”, njofton policia.