Analisti Mentor Nazarko e ka cilësuar të paparashikueshëm dhe të paprecedentë faktin se Partia Demokratike do të mbajë dy Kuvende, atë të thirrur nga Berisha më 11 dhjetor dhe atë nga kryetari, Lulzim Basha më 18 dhjetor.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Nazarko ka komentuar zhvillimet, ndërsa ka shpalosur edhe disa skenarë që sipas tij edhe nuk përjashtohen se mund të ndodhin.

Si e shihni debatin në PD dhe zhvillimet e ditës së djeshme?
Ishte e paparashikueshme. Që të bësh parashikime të mira duhet të ndërtosh a prognozë mbi bazën e precedentëve. Kjo që ndodh para se të harrnim te ky zhvillim, ishte e pa ndodhur më parë. Pra mungon një premisë që mund të bëje parashikim të mirë, precedentët nuk ekzistonin. Prisja që do të kishte një betejë juridike që më herët. Por ajo çka bëri Basha është një akt fuqie. Ai thotë; ‘S’kam frikë nga Kuvendi,, por përfundimi i dytë është; ‘Unë jam autoriteti legjitim dhe se kur duhet të thërrasë Kuvendin’- e vendos unë. Kjo formë e përdorur nga Berisha nuk është thirrje legjitime Kuvendi’. Basha pra kërkon që të kultivojë narrativën se është i fokusuar te zgjedhjet e pjesshme që pritet të shpallen pasi Gjykata Kushtetuese, të vendosë apo jo shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Ndërkohë që sipas tij (Basha) Berisha është fokusuar te sfidomi i këtij autoriteti. Një shikim i tillë ka bërë që të arrijmë te përfundimi për një datë tjetër e Kuvendit : 18 dhjetori i thirrur nga kryetari legjitim, që drejton kryesinë e partisë (Basha). Është situatë absurde që të thirret dy herë Kuvendi. Imagjinoj se ky akt fuqie apo i shpallur si i tillë prej Bashës duhet të ketë provokuar diçka të rëndë te pala tjetër, pasi pati reagim të fortë (Nga Berisha). Kishte kërcënim për revolucion paqësor që do të prekte Ramën dhe Bashën.

Ndërkohë, pyetjes nëse; “A kishin palët një rrugë të ndërmjetme për të realizuar bashkë këtë kuvend?”, Nazarko iu përgjigj se; “Mua më duket zgjidhje e arsyeshme ajo që propozon zoti Paloka, pavarësisht se ai rreshtohet në krahun e Berishës. Në pikëpamje të akteve ai s’po e demonstron këtë rreshtim. Po mundohet që të mbajë në dukje një qëndrim të pavarur. Do të ishte një veprim i arsyeshëm.
Nuk kemi një precedent të kësaj që ka ndodhur epo ndodh. Sepse s’ka ndodhur kurrë. Kjo nuk është e qartë as në statut – thirrja e Kuvendit nga anëtarësia, nga ¼ e saj. Kjo pasi nuk dihet se kujt t’i dorëzohen ato firmat, etj, apo se di sesi mund të vendosim vetë anëtarët. Kjo është një situatë absurde që një kolegu ynë zakonisht i quan këto veprime politike; manovra në zunkth. Manovra pa rezultat. Gjithsesi mund të ketë një domethënie tjetër veprimi i Bashës, në mënyrë sintetike. Një element për tu konsideruar është rendi i ditës, ku Kuvendi i thirrur nga Basha është i fokusuar te zgjedhjet, ndërsa Berisha flet për kthimin e demokracisë në parti. Basha kërkon që të konsolidojë te elektorati i vetë këtë bindje dhe të shfrytëzojë atë potencialitetin e të të qënit kryetar, te kryetarët e degëve. Ai është njeriu që ka në dorë të zgjedhë kandidatët si kryetar dhe këshilla bashkiakë për këto 6 bashki ku do të ketë votime të pjesshme. Kjo që bëri Basha ka dhe një domethënie tjetër, ajo e sfidës që; ‘topin e kam unë dhe nëse je kundër këtij veprimi, zgjidh rrugën gjyqësore’”.

Çfarë bën Berisha në këtë rast?
E gjitha përpjekja e Bashës, nëse mund ta sintetizojmë. Unë ju parashtrova disa efekte imediate të veprimit të Bashës, që sjellin në kultivimin e kësaj narrative që; Berisha është sabotator i fitores së PD, ndaj unë bëj një ‘akt të fuqisë’, ‘skam frikë nga Kuvendi’. Por ka dhe një përmasë tjetër të nënkuptuar, që ftohet Berisha që të zgjedhë rrugë destruktive. Ai është ekspert i provuar në historinë e pluralizmit, që të bëjë veprime force, dhune politike apo të sulmojë partinë me skuadronet e besnikëve. Apo pse jo -të zgjedhë rrugën gjyqësore. Besoj se Basha synon që të çojë Berishën që të ankohet në gjykatë, ose të nxisë atë që të bëjë veprime që mund ta damkosin para syve të bashkësisë ndërkombëtare. Ndaj reagimi i Berishës ishte nervoz pas thirrjes së forumit në datë 18 dhjetor.
E gjithë kjo që po ndodh ka notat e absurdit, por Berisha dhe Basha, që i dinë këto teknika të kontrollit mbi masat partiake, e dinë se çfarë bëjnë. Së jashtmi ne mund të themi se gjithçka është absurde. Nëse do të vendosim prozhektorë, vëmendje maksimalie në këto dukuri të vockla, mbledhja e Kryesisë dje zgjati 6 orë. Kjo do të thotë se kjo parti arrin që të menaxhojë këto fërkime, të bashkëjetojë me këto fraksione.

Kjo që thashë sot, është një ushtrim i vështirë për të gjetur elemente domethënës të një zhvillimi brenda partiak. Por ky zhvillim do të përcaktojë llojin e opozitës që do të kemi. Ajo që është me rëndësi, është se në kuadër të shqyrtimit të ftesës për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në Këshillin e ardhshëm Evropian, Shqipërisë i duhet të tregojë një fytyrë të mirë, bashkëjetesë normale të qeverisë me opozitën. Që Shqipëria i prodhon krizat dhe po vetë i tret. Ideja e revolucionit paqësor e prish këtë imazh të Shqipërisë europiane.

Luhet edhe me kohën se kur nis revolucioni paqësor….
Berisha është i njohur për përdorimin e sipërores absolute, pra; ‘Pas shpalljes së pluralizmit, Foltorja është zhvillimi më i rëndësishëm’ ; “do bëjmë revolucionin më paqësor, në Ballkan; etj etj. Nuk e besoj se Berisha do të ndjekë rrugën e forcës, por ama kërcënon. Unë po vë re që Basha pas tërheqje të parë, mosreagimit ndaj sulmeve të Berishës, ka nisur të luaj në vetën e parë. Kanë nisur të flasin Duma, Gjekmarkaj. Kjo situatë e vendos në vështirësi dhe vetë Berishën.
Basha ka kontroll në kryesi mesa duket në kryesi dhe ka mbështetje…A do ta ruaj këtë ndikim?
Unë besoj se po. Ai votimi i djeshëm e tregoi se raportet e forcës në strukturat më të larta janë në favor të Bashës. Ai ndihmohet edhe nga pak me ato shfaqjet e dukshme dhe të padukshme të mbështetjes amerikane. Ai ka epërsi dhe faktin që shfaqet në parlament, pasi Berisha e ka humbur këtë epërsi momentale. Ai flet vetëm në foltore. Mbështetja e deputetëve për Berishën në Foltore, është pragmatike. Ata nuk po tregojnë se kanë qenë të aftë që të kundërshtojnë Bashën në ndonjë temë. Këto janë disa zhvillime që, veçanërisht përplasjes në parlament, e që e vendosin Berishën në disavantazh propagandistik. Foltorja është i vetmi ‘institucion’ paralel informal që Berisha po shpërfaq, atë që është protagonizmi politik retorik në këto kushte që gjendet Shqipëria.

Gjatë fushatës elektorale binomi më i përdorur nga Rama ishte Berisha-Meta. Në varësi të vendimit të Kushtetueses hyn në lojë edhe Meta?
Mendoj se Meta, edhe për shkak të zhvillimeve, do të vendoset në koalicion me atë pjesë të PD që udhëhiqet nga Berisha. Kjo e favorizon Ramën. Versioni që rri Basha në krye të PD, nuk është se e frikëson Ramën. Fakt është se Rama i fitoi zgjedhjet, edhe mes shumë variablave, duke treguar se fitorja e Bashës do të thoshte riciklim i Berishës dhe Metës në pushtet. S’mendoj se rikthimi i kësaj dyshe mund të destabilizojë vendin dhe të rrezikojë PS në pushtet. Jam për afirmim të forcave të reja, individëve të rinj në politikë, sepse kjo është e ardhme e sigurt për të cilin ka prova suksesi në Ballkan. Ka prova në Kosovë, Bullgari. S’ka arsye që mos të ndodhë në Shqipëri. Në Bullgari fitoi një dyshe e studentëve të Harvardit. Ata arritën që të fitonin zgjedhjet. Përveç se ka emra partish si; ‘Bullgaria ndryshe’, politika atje tregon pjekuri në mënyrën se si menaxhohen krizat politike. Edhe zhvillimet në Kosovë janë tregues i qartë se e ardhmja i takon të rinjve. Nga përplasja Basha-Berisha do të preferoja që të ishte fitues një i tretë, ndonëse ekziston një skenar i ri, ku Berisha do të tërhiqet në moment të fundit dhe do të promovojë një figurë të re, por le të mos ngutemi.
Kosova tregoi se të rinjtë e vendosin në vështirësi të vjetrën, pavarësisht mungesës së eksperiencës. Është trend në të cilin besoj se Shqipëria do të përfshihet.

Si do ta shihni ju atë që ndodhi në Kosovë. Ishte përmbysje e madhe të Vetëvendosjes, apo ishin zgjedhje lokale që s’dukej të krahasoheshin me zgjedhjet e përgjithshme. Si duhen parë?
Këto ishin zgjedhje me mesazh domethënës për zotin Kurti. Ai e personalizoi fushatën, pra ky rezultat i atribuohet atij. Duhet thënë se forcat politike të tjera ishin bashkë, por ishin bashkë edhe në zgjedhjet e shkurtit. Ato u përpoqën që të afirmonin figura të reja. E dimë se lidhjet farefisnore përcaktojnë dhe fitoren në zgjedhjet lokale të Kosovës.

Por ka një mesazh të personalizuar: Politika e Kurtit, përplasjet me Shqipërinë, me perëndimin, me SHBA- ndoshta nuk ishte e dukshme si në mandatin e fundit të Trump- ; Qasja përplasëse me Serbinë pa u konsultuar me NATO dhe SHBA për çështjen e veriut, nuk pëlqehen nga elektorati. Ma kjo nuk do të thotë se trendi rënës do të vijojë. PD fitoi zgjedhjet e 92 dhe më pas humbi zgjedhjet e korrikut të 92 dhe më pas akoma humbi referendumin e 94. Më pas u forcua përmes një legjislacioni promovues, që rriste ndikimin në territor, favorizim, piramidat, kontrolli mbi organet e sigurisë, ekonominë, etj. Kosova është realitet interesant. Zgjedhjet treguan pjekuri popullore dhe të partive. Besoj se Kurti ka kuptuar leksionet. Largimi i ministrit Vitia, që mori më pak vota se partia, zëvendësimi i tij me ish-këshilltarin e Thaçit, mjek me profil të lartë, besoj se ishte një veprim i urtë i Kurtit, pas mësimeve të mençura që i dhanë Kurtit këto rezultate.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb