POGRADEC- Policia e Pogradecit ka zbuluar armë dhe municione luftarake, të cilat dyshohet se do të trafikoheshin në Maqedoni, ndërkohë që është shpallur në kërkim, poseduesi i tyre.
Sipas të dhënave zyrtare armët janë gjetur në fshatin Alarup në banesën e shtetasit Redi Hymetllari, 27 vjeç. Mësohet se janë gjetur dhe më pas sekuestruar:
– 1 armë zjarri gjysmë automatike, model 56,
– 1 armë gjahu, “Shotgun” model 88 dhe
– 720 fishekë luftarakë, model 56.
Dyshohet se 27-vjeçari, armët e zjarrit si edhe municionin luftarak që posedonte, do t`i trafikonte në shtetin Maqedonas, duke shfrytëzuar kufirin e gjelbër. Nga ana e Policisë, po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe kapjen e autorit.
Materialet për hetime të mëtejshme, iu referuan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
(m.k/BalkanWeb)