SARANDË

6 janari i sivjetmë, i njohur nga besimtarët e fesë ortodokse si Dita e Dritës dhe Ujit të Bekuar, është shoqëruar nga ceremoniali tradicional i Dritës dhe hedhjes së kryqit në detin e Sarandës. Besimtarë të shumtë iu drejtuan kishës së Shën Harallambit, në qytetin e Sarandës, ku morën pjesë në meshën për bekimin e ujit e dhënë nga At Kozmai i kishës “Shën Harallambi”.

Pasi ka dhënë mesazhin e vëllazërimit mes komuniteteve, të jetës në paqe dhe pa të këqija, në mbarim të meshës At Kozmai i spërkati të pranishmit me ujin e bekuar. Pas meshës në Kishë një numër i madh besimtarësh kanë shoqëruar ceremonialin e hedhjes së kryqit në ujë. Kryqi i shenjtë është hedhur në ujërat e Jonit, nga trampolina e ngritur buzë detit në segmentin e shëtitores përballë me Kishën e “Shën Harallambit” në Sarandë.

Me hedhjen e kryqit në ujë simbolikisht është bërë edhe bekimi i të gjitha ujërave. Pas Kryqit janë hedhur në ujërat e ftohta disa të rinj. Kryqin e shenjtë në këtë 6 janar e kapi Lluka Todhri 42 vjeç. “Është e disata herë që hidhem për kryqin. Falënderoj Zotin që më dha mundësinë për ta kapur kryqin. Uroj paqe, mbarësi, shëndet! Kalimin sa më lehtë të kësaj pandemie dhe të na mbajë sa më larg nga mëkatet”, tha 42-vjeçari Todhri.

Ceremonia e Dritës së Ujit të Bekuar ka vazhduar më tej me kthimin e besimtarëve në oborrin e kishës “Shën Harallambi”, ku secili prej tyre ka marrë ujë të bekuar për në shtëpitë e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb