Presidenti Ilir Meta ka takuar sot ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, me të cilin ka diskutuar mbi agresionin rus.

Në një postim në “Facebook”, Meta thekson se ka ndarë shqetësimin me ambasadorin ukrainas për kërcënimin e një agresioni të mundshëm rus ndaj Ukrainës mike.

Postimi i Presidentit Meta:

Sot prita Ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Sh.T.Z. Volodymyr Shkurov. Diskutuam kryesisht për situatën në dhe rreth Ukrainës. Ndamë shqetësimin e përbashkët për kërcënimin e një agresioni të mundshëm rus ndaj Ukrainës mike, në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare.
U informova nga Ambasadori dhe përgëzova për përpjekjet e vendit të tij për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet nëpërmjet negociatave dhe në rrugë paqësore, përfshi në kuadër të formateve shumëpalëshe ekzistuese.
Konfirmova se Shqipëria, edhe si vend anëtar i NATO-s dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është në krah të Ukrainës në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb