Forcimi i bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë dhe edukimi në vazhdim i stafeve mjekësore ishte në fokus të takimit të zhvilluar sot mes Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Alain Berset, Zv.President i Zvicrës dhe Ministër i Çështjeve të Brendshme, Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Zvicrës.

Gjatë takimit dypalësh, Ministrja Manastirliu vlerësoi kontributin e qeverisë së Zvicrës për mbështetjen e qeverisë shqiptare gjatë periudhës së pandemisë, për kontributin për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore, teksa theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë ka qenë i shkëlqyer me qeverinë zvicerane, ndaj gjej rastin t’ju falënderoj sepse falë këtij bashkëpunimi, kemi ngritur modele shumë të mira të qendrave të kujdesit parësor, të cilat më pas i kemi replikuar në një program kombëtar të rehabilitimit të tyre. Jam e kënaqur që do të nisim fazën e dytë të këtij bashkëpunimi dhe jemi të gatshëm ta forcojmë bashkëpunimin tonë, drejt objektivit të mbulimit shëndetësor universal. Forcimi I kapaciteteve të burimeve njerëzore është një tjetër çështje për ne e një rëndësie parësore, ku duam të fokusojmë bashkëpunimin me qeverinë zviceriane”, tha Manastirliu.

Z. Alain Berset, Ministri i Çështjeve të Brendshme, Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Zvicrës shprehu mbështetje për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë.

“Pandemia tregoi se vetëm përmes solidaritetit mund të përballojmë situata të tilla, ndaj më vjen mirë për vlerësimin që keni për mbështetjen që Zvicra ka dhënë për Shqipërinë. Gëzohem që bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë ka qenë i suksesshëm dhe do ta vijojmë më tej këtë bashkëpunim dypalësh”, tha Ministri Berset.

Në përfundim të takimit dypalësh, të dy ministrat u dakordësuan për të çuar më tej bashkëpunimin në fushën e edukimit në vazhdim të personelit mjekësor dhe infermieror si dhe vijimin e programit të mbështetjes për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore, me fokus tek shërbimi shëndetësor parësor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb