Prestige u shpall kampion në trofeun FSHF CUP të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Njeriu që ka udhëhequr skuadrën në fushë, por që orienton gjithçka edhe jashtë saj, Fatmir Hysenbelliu, nuk e ka fshehur gëzimin për këtë sukses. “

Nuk ngopemi asnjëherë së fituari. Sa më shumë suksese të arrish, aq më shumë shtohet oreksi. Forca e kësaj skuadre është grupi. Prestige e ka në ADN-në e tij suksesin dhe strategjinë e ka bazuar gjithnjë në forcën e skuadrës, jo tek individë të veçantë”, thotë fillimisht Hysenbelliu për “Panorama Sport”. Ai dje dha asistin e golit të vetëm që u shënua në këtë takim.

Oni, ç’do të thotë ky trofe për ju?

Ishte i pritshëm. Ne jemi seriozë në punën tonë dhe asnjëherë nuk ia lëmë gjërat rastësisë. Ndoshta u nxituam pak në pjesën e parë, por nuk mendoj se e diskutuam fitoren.

A pati një moment që dyshuat se po të shkonte në shtesë, mund edhe të mos e fitonit këtë kupë?

Jo, nuk kisha asnjë dyshim te forca jonë. Sezonin e kaluar në këtë kompeticion ne u eliminuam që në çerekfinale, ndërsa këtë herë fituam në gjysmëfinale 2-0. Ndërkohë, rivali ynë në gjysmëfinale ishte duke humbur 1-0 deri 5 minuta para fundit, por më pas shënoi 2 gola dhe arritën në finale. Dua të them se futbolli përveç impenjimit dhe stërvitjes, kërkon durim dhe besim. Ne nuk e vumë asnjëherë në diskutim që do të fitonim.

Që kur është themeluar skuadra e Prestige ka arritur një mori suksesesh. A ka ndonjë moment kur “ngopesh” ose përfundon cikli?

Jo, me ne ndodh e kundërta: sa më shumë fitojmë, aq më shumë na shtohet oreksi. Natyrisht që, nëse do të fitojmë edhe ata pak trofe që na kanë mbetur, atëherë do të mendojmë për diçka tjetër.

Për çfarë e keni fjalën?

Shiko, ne jemi shpallur fitues të kampionatit 6X6, 9×9 dhe së fundmi edhe të kompeticionit tjetër të FSHF-së. Nëse ia dalim që edhe këtë sezon të shpallemi kampionë dhe më pas të fitojmë Champions-in, atëherë do të mendojmë për të kaluar në nivelin profesionist.

Që do të thotë?

Që do të ndërtojmë skuadrën për në Superiore. Do ta nisim nga kategoritë e ulëta, siç e parashikon rregullorja, por nëse i fitojmë të gjithë trofetë këtu, atëherë natyrisht që do të shohim për sfida të tjera motivuese.

Çfarë është sot për ju Prestige? Si do ta përkufizonit këtë skuadër?

Prestige është Prestige… Kaq e thjeshtë! Fitoret dhe sukseset janë në ADN-në e kësaj skuadre. Gjithnjë strategjinë tonë e kemi bazuar te grupi dhe jo tek individët. Finalja e sotme (djeshme) e tregoi këtë. Vini re: disa nga lojtarët tanë u larguan dhe tani po luajnë ata që ishin dikur rezerva.

Por serioziteti është po i njëjti, sukseset gjithashtu janë po të njëjtat. Ne jemi seriozë e të përkushtuar në punën tonë dhe motoja është që skuadra dhe grupi janë mbi individin. Kjo është motoja e Prestige dhe kështu ka për të qenë gjithnjë. Prandaj edhe rivalët shpeshherë kanë dëshirë të maten me ne, sepse jemi në këto nivele.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb