NGA: XHENSILA KODRA*

Vetëm pak ditë para vizitës në Shqipëri të Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Kerri, mediat iraniane raportojnë se një grup prej 22 muxhahedinësh, të cilët jetonin në “Kampin e Lirisë” në Irak, u zhvendosën në Shqipëri. Ardhja e tyre është pjesë e marrëveshjes Shqipëri-SHBA për strehimin e pjesëtarëve të opozitës iraniane të cilët ndihen të rrezikuar në vendlindjen e tyre. Sipas portalit “Iran-interlink”, deri tani në Shqipëri kanë ardhur rreth 400 anëtarë të organizatës “Muxhahedinët e popullit iranian”. Për herë të parë, muxhahedinët erdhën në Shqipëri në vitin 2013, pas premtimit që kryeministri Berisha i bëri sekretares së Shtetit, Hilari Klinton. burime për “GSH” thanë se edhe vizita e sekretarit Xhon Kerri lidhet me një kërkesë ndaj shtetit shqiptar për të mikpritur deri në 1 mijë anëtarë të opozitës iraniane.

MUXHAHEDINET IRANIANE
Kjo organizatë konsiderohet si opozita politike e ishregjimit të Ahmadinexhadit në Iran. Tre anëtare femra që synojnë të largohen nga “Kampi i Lirisë” për në Shqipëri nën identitete të rreme, rezultojnë se janë më të kërkuarat nga shteti iranian. Konkretisht ato janë, Fatemeh Vatankhah Rahmani nën pseudonimin Sima Vatankhah, e cila është përgjegjëse për ruajtjen e ekipit “Masosud Rajavi”; Zhaleh Mahram Nia (anëtare e zyrës “Rajavi”) dhe Roqaieh Abbasi, që kanë vendosur si pseudonim ‘Raana’. “Kështu, me sa duket, udhëheqësit e MKO kërkojnë që të përgatisin kampin e tyre të ri në Tiranë.

Më parë, disa anëtarë të tjerë të rangut më të lartë, si Javad Khorasan dhe Mohammad Shaabani, janë zhvendosur në Shqipëri”, raporton më tej gazeta iraniane. Ndërkaq, kujtojmë se muxhahedinët e popullit iranian, për herë të parë kanë mbërritur në Shqipëri në vitin 2013, në kohën kur vendi ynë qeverisej nga ishkryeministri Sali Berisha. Muxhahedinëve iranianë të strehuar në “Kampin Liria” në Irak, u rrezikohej jeta nga ekstremizmi i klerikut shiit i qeverisë së Al-Maliki. Amerikanët kishin një borxh nderi ndaj këtyre muxhahedinëve, armiq të betuar të Ajatollahëve iranianë, dhe ua shpërblyen duke u gjetur strehim të sigurt në Shqipëri.

PROCESI I ZHVENDOSJES
Sipas medias së huaj, procesi i zhvendosjes së personave të “Kampit të Lirisë” duhet të ishte bërë 40 ditë më parë, por kjo nuk ka qenë e mundur për shkak të festave të Krishtlindjeve. Në ndikimin e UNHCR-së dhe zyrës UNAMI në Irak, liderët e kultit ishin të detyruar t’u bindeshin për zhvendosjen e procesit për të filluar më 4 shkurt 2016. Një nga rrjetet sociale, konkretisht faqja “Peyvand Rahayee”, raportoi që një grup prej 22 personash të “Kampit të Lirisë” janë transferuar në Shqipëri. Në të gjitha grupet e transferuara edhe më parë, disa nga emrat e tyre ishin të rremë.

NË KAMPIN SHQIPTAR
“Si pasojë e zhvendosjes së qindra anëtarëve të organizatës MKO nga Iraku për në Shqipëri, numri i personave të grupit është rritur. Duke u bazuar në këto raporte, liderët e kultit të Rajavit i frikësohen jashtëzakonisht shumë rënies së kësaj baze, edhe pse është ndërtuar nga vetë ata. Kështu, mbikëqyrja dhe kontrolli mbi anëtarët e grupit janë bërë shumë të rrepta. Ky është një ekstrakt nga llogaria e Tofiqit se çfarë po ndodh ekzaktësisht me bazën MKO në Tiranë, Shqipëri”, shkruan më 8 shkurt, “Iran-Interlink.org”. Po sipas kësaj medieje, ata dëshirojnë që procesi i zhvendosjes të jetë gradual dhe nën kontroll. Kampi i tyre kryesor është i vendosur pranë një autostrade në Tiranë. Fasada e ndërtesës është prej xhami. Ajo quhet “Kamp 49”.

Zyrat e këtij grupi kanë edhe një vend për të ngrënë, që më pas të çon në Stacionin Policor, ku Policia e Shqipërisë kontrollon hyrjet dhe daljet. Gjithashtu, edhe takimet kryesore mbahen në ndërtesë. Dritaret e kësaj ndërtese janë të “veshura” me gazeta, në mënyrë që personave që janë brenda tij, t’u parandalohet kontakti me botën e jashtme.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: