VLORE – Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo dhe komandanti i Forcës Detare, gjeneral brigade Qemal Shkurti, bëri një vizitë në Bazën Detare të Pashalimanit.
Ministrja Kodheli u takua nga afër me personelin e anijes luftarake “Butrinti” që mori pjesë në operacionin për shpëtimin e pasagjerëve të tragetit italian “Norman Atlantik”, i cili mori flakë në mëngjesin e ditës së dielë.
Pas raportimit që bëri komandanti i kësaj anije, ministrja Kodheli përgëzoi dhe falënderoi ekuipazhin e anijes.
“Jam krenare për ju, prandaj dhe në emrin tim, të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Bazos, të qeverisë, të kryeministrit Rama dhe të të gjithë shqiptarëve ju përgëzoj dhe ju falenderoj. Ju, në bashkëpunim me partnerët tanë italianë dhe grekë, në kushte tejet të vështira të motit dhe të errësirës, kryet një operacion të jashtëzakonshëm
Prandaj edhe njëherë ju falënderoj nga zemra. Ju e dini që mua nuk më mungojnë fjalët, por sot ato më mungojnë sepse jam shumë e emocionuar. Edhe njëherë ju faleminderit shumë për gjithçka që bëtë” ka përfunduar fjalët e saj ministrja e Mbrojtjes Kodheli.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: