Dede Planaj është personi që ka mbetur i plagosur pas atentatit që iu bë në hyrje të Dobraçit. Burime për “BalkanWeb” bëjnë të ditur se “shënjestra” e këtij atentati është djali i xhaxhait të Bardhok Planit, që e ekzekutuan një vit më parë në Shkodër.
Vrasja e tij ndodhi në fillim të prillit 2021, ku iu bë atentat me mbi 20 plumba. Ndërkohë, makina tip “Range Rover” që ai po drejtonte u bë shoshë nga të paktën 120 të shtëna. 46-vjeçari Planaj njihej si një prej të fortëve të Shkodrës dhe i kishin vendosur nofkën “Kumbari”.
Vrasja e tij u cilësua si një prej më të mirëogranizuarve dhe të bujshmet të realizuar nga krimi i organizuar.
Asokohe u raportua se një makinë tip “Pasat”, me targa italiane, ka pritur poshtë shtëpisë së tij në hyrje të rrugës Shkodër-Koplik Bardhok Pllanajn, i cili sapo ka hipur në mjet, pas pak metrash, është qëlluar me breshëri automatiku.
Autorët u raportua se e kanë qëlluar nga makina në ecje e sipër objektivin e tyre, duke e ndjekur për rreth 150 metra dhe duke mos e lënë që të lëvizë. Pasi ka humbur kontrollin e mjetit nga plumbat që ka marrë në trup, mjeti i viktimës është përplasur në oborrin e një pike lëndë ndërtimi, duke përfunduar aty. Autorët paralel me mjetin e 46-vjeçarit kanë qëlluar përsëri në drejtim të tij, duke u siguruar plotësisht se nuk ka pasur asnjë shans që të shpëtojë.
Bardhok Planaj njihej si një prej personazheve të fortë në Shkodër, i cili disa herë ka pasur probleme me drejtësinë, por i ka shpëtuar. Gjithashtu, 46-vjeçari ishte një personazh me lidhje të forta me drejtësinë dhe politikën, por mbante raporte edhe me individë apo grupe të tjera kriminale. Kjo vrasje ka prishur balancat dhe mund të hapë një seri tjetër ngjarjesh të rënda kriminale në Shkodër.
(BalkanWeb)
