Gazetari Sebastian Zonja, i ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, ka komentuar deklaratat e ambasadorit amerikan Eric Wendt gjatë takimit me drejtuesit e SPAK dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas Zonjës, mesazhi i diplomatit amerikan ishte një paralajmërim i qartë për politikanët dhe zyrtarët e përfshirë në korrupsion, ndërsa theksoi mbështetjen e SHBA-ve për institucionet e drejtësisë.
Ai u shpreh se politikanët mund të jenë ndjerë të kërcënuar nga deklaratat e ambasadorit, i cili foli për tenderat e korruptuar, pengesat ndaj investimeve amerikane dhe gjurmimin e parave të pista përmes kriptomonedhave dhe komunikimeve dixhitale.
“Politikanët sot do të jenë ndjerë të kërcënuar pas asaj që tha ambasadori. Ambasadori amerikan përsëriti thirrjen ‘ju erdhi fundi’, që ka dalë nga protesta. Ai përmendi vjedhjen e tenderave dhe problemet me sipërmarrjen që pengojnë investimet amerikane. Kur nuk çan dot biznesi amerikan, e kuptoni çfarë bëhet? E tha bukur, pastër, saktë. Tha se i marrin paratë, i çojnë në kriptovaluta, flasin në telefon. Nuk ka persona të pakapshëm dhe të paprekshëm nga drejtësia”, u shpreh Zonja.
Sipas tij, deklaratat e Wendt përbënin një mesazh të drejtpërdrejtë edhe për kryeministrin Edi Rama, veçanërisht sa i përket korrupsionit në tendera dhe çështjeve që lidhen me investimet publike. Ai solli në vëmendje edhe çështjen e inceneratorëve, duke iu referuar kompanive dhe kontratave të lidhura me këtë aferë.
Zonja u ndal gjithashtu te përfshirja e një eksperti të Departamentit amerikan të Drejtësisë në trajnimin e prokurorëve, gjyqtarëve dhe hetuesve shqiptarë për sigurimin dhe administrimin e provave dixhitale. Sipas tij, ky detaj tregon nivelin e bashkëpunimit dhe mbështetjen amerikane për SPAK.
“Ky mesazh, besoj, i ka ardhur kryeministrit Edi Rama. Ato firmat ‘fap-fap’ për inceneratorin që nuk ekziston më, me dikë ke folur. U përmend po ashtu përfshirja e një zyrtari të lartë të Departamentit amerikan të Drejtësisë. Dhanë mesazh që SPAK është vijë e kuqe për SHBA-të”, deklaroi gazetari.
Në vijim, Zonja ngriti dyshime për një tentativë të mundshme nga Partia Socialiste për të goditur Prokurorinë e Posaçme, ndërsa komentoi edhe raportin e pushtetit politik me ministren Belinda Balluku.
“Dyshoj se ka një tentativë nga PS-ja për të goditur SPAK-un. Njeriu më i pushtetshëm në Shqipëri është Rama. Janë nja 50 vende bosh, pastaj vjen Balluku. Edi Rama është personi që i jep Belinda Ballukut drejtorët dhe nesër ia heq nëse do. Mesazhi i ka shkuar nga aleati ynë më i madh dhe vendi më i fuqishëm në botë”, përfundoi Sebastian Zonja.
