PRISHTINE- Gjykata e Prishtinës ka paralajmëruar që së shpejti do lëshojë urdhër-arrest për liderin e “Vetëvendosjes” Visar Ymeri. Paralajmërimi është bërë nga gjykatësi Vesel Ismajli gjatë seancës gjyqësore për gjykimin e rrahjes së deputetëve.

Visar Ymeri e Rexhep Selimi nuk morën pjesë në gjykimin ku akuzohen për rrahje të Bekim Haxhiut. Në këtë gjykim kreu i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri, deputeti i këtij subjekti Rexhep Selimi, ish-deputeti Florin Krasniqi dhe vozitësi Besart Bujupi akuzohen për fjalosje dhe sulm ndaj deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu me qëllim të shkaktimit të lëndimeve të lehta trupore. Kjo gjë sipas prokurorisë kishte ndodhur më 28 qershor 2012 gjatë një pauze pas një debati në Kuvendin e Kosovës.

Procedura ndaj Florin Krasniqit është veçuar. Edhe pse sot ishte seanca e 15-të e këtij gjykimi, asnjëra nga to nuk është mbajtur. Më 8 shkurt në gjykatë për këtë çështje nuk erdhi kryetari i “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri. Në atë seancë gjyqtari Vesel Ismajli tha se nuk i mbetur mjet tjetër juridik, përveç që të lëshojë urdhër-arrest për Ymerin për sjellje të detyrueshme të tij në seancë. Atë ditë Bekim Haxhiu tha se “është e 14-ta herë që vij në seancë për të kërkuar drejtësi dhe është e 14-ta herë që gjykata nuk i plotëson kushtet ligjore për mbajtjen e seancës. Është papërgjegjësi e gjykatës”.

Dy ditë më vonë, Zyrës për Informim të Gjykatës Themelore në Prishtinë i është kërkuar përgjigje nëse është lëshuar urdhëresë për sjellje me dhunë të Visar Ymerit në gjykatore. Por atë ditë nuk është marrë ndonjë përgjigje. Por pas shtyrjes së sotme të seancës, gjyqtari tha se shtyrja ndodhi ngase policia nuk e solli kreun e “Vetëvendosjes”. Edhe sot deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu ishte i nervozuar për shtyrje të seancës, por nuk foli për mediat.

Gjyqtari i tha KALLXO.com se Rexhep Selimi nuk u paraqit në gjykatë, por sipas gjyqtarit, i kontaktuar nga gjykata Selimi tha se do të vijë në Pallat të Drejtësisë për 3 minuta, nëse krijohen kushtet për mbajtjen e seancës. Deputeti Selimi herëve tjera ka qenë i pranishëm në gjykatore në lidhje me këtë çështje. Përveç Haxhiut për këtë seancë ishte i pranishëm edhe i akuzuari Besart Bujupi dhe Enver Bimbashi, dëshmitari i paraparë për sot. Seanca e këtij gjykimi u shty për kohë të pacaktuar, derisa të sigurohet prania në gjykatore e Visar Ymerit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: