Ditën e sotme Bajram Begaj do të marrë zyrtarisht detyrën si Presidenti i ri i vendit. Në orën 18:00 pritet të nisë ceremonia zyrtare e betimit të Presidentit të ri të Republikës, Bajram Begaj, i zgjedhur më 4 qershor  me 78 vota.

Seanca do nisë nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ndërsa për 5 vitet në vijim, Begaj do të jetë Presidenti i ri i vendit, i cili pason presidentin në detyrë Ilir Meta.

Sipas gazetarit Ergys Gjençaj, ceremonia e betimit do të bëhet në një seancë të posaçme në Kuvendin e Shqipërisë, për t’u zhvendosur më pas në ambientet e Presidencës, ku pritet që Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, t’i dorëzojë atij në mënyrë simbolike Kushtetutën.

Më pas Presidenti në detyrë Ilir Meta do të largohet nga Presidenca për të hyrë Bajram Begaj si kreu i ri i shtetit.

Në ceremoni do të jenë të pranishëm deputetët të PS, PD, LSI, si dhe trupi diplomatik.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: